GazetaMax
Lajme

Çfarë Skënderbeu duam?

Ne duhet ta nxjerrim Skënderbeun nga kisha dhe nga “fushatat e kryqëzatave”. Po ashtu duhet ta heqim nga istikamet antiturke dhe nga diskursi antiturk, siç duhet ta nxjerrim edhe nga identiteti i mveshur antimysliman. Një Skënderbe i tillë, i akomoduar, do të ishte bashkuesi i fiseve arbërore në Lidhjen e Lezhës, ai ishte edhe i krishterë edhe mysliman, edhe ushtar i sulltanit edhe aleat i Perëndimit dhe, përkundër asaj se pjesën e fundit të jetës thuhet se e bëri si i krishterë dhe u varros në kishë, nuk hoqi dorë as nga emri i tij mysliman, që ia kishin dhënë osmanët.

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Një kamerier, në një restorant të bregdetit shqiptar, i lodhur me pyetjen e shpeshtë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e të Kosovës “çfarë mishi keni?”, kjo për shkak të kujdesit që të mos hanë mish derri, filloi t’u përgjigjej me “Si e do ti?”. Kjo më kujtohet sa herë që më duhet të flas për figurën e Skënderbeut. Aq shumë e kanë paketuar dhe ambalazhuar figurën e tij në trajta të ndryshme, në stilin “si e do ti?!”, sa edhe kamerieri në fjalë do ua kishte zili. Por, kush është Skënderbeu?

Skënderbeu i realitetit

Në ato libra që i kemi lexuar për Skënderbeun, duke i marrë parasysh edhe konstelacionet gjeopolitike të kohës, nuk e kemi vështirë të konkludojmë se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte një ushtarak i zoti i kohës së tij, i formuar në ushtrinë osmane, që më pas do të rebelohej ndaj sulltanit dhe me një dinakëri, jo vetëm ushtarake, do ta përvetësonte nga duart e osmanëve principatën e babait të tij, për ta mbajtur të pamposhtur – me luftë guerile – për 25 vjet të tëra. Gjatë kësaj kohe, shkathtësia e tij guerile, aftësia për të krijuar aleanca me fise të tjera arbërore, por edhe me fuqi të tjera të kohës, si Venediku, Napoli ose edhe Vatikani, ia mundësuan që të rezistojë. Megjithëse nuk ia doli të konsolidojë ndonjë shtet, fama e tij u ndërtua mbi rezistencën që i bëri për çerek shekulli superfuqisë më të madhe të kohës. Dhe, të rezistoje ndaj një superfuqie të tillë, kur e gjithë Europa ishte në panik nga vërshimi osman në perëndim, kjo nuk ishte pak. Prandaj emri i tij u dëgjua në të gjitha anët dhe bëri jehonë për shekuj me radhë.

Këtu duhet theksuar se Skënderbeu jetoi dhe veproi në kushte mesjetare, kur ende nuk ekzistonte koncepti i kombit, andaj sa herë që flasim për të, nuk mund të pretendojmë as për principatë shqiptare, as për shtet shqiptar, madje – siç e dimë – edhe emri “shqiptar” u krijua vetëm në shek. XVIII.

Skënderbeu i Rilindjes Kombëtare

Edhe pse Marin Barleti, më 1504, do ta botonte një biografi të gjatë në gjuhën latine për Skënderbeun, ai mund të mbetej edhe në harresë po të mos ishte Rilindja Kombëtare Shqiptare, që e riktheu figurën e tij në epiqendër të kombit. Në kohën kur po ndërtoheshin kombet dhe në frymën e trendit romantik për të gjetur gjurmë krenarie në lashtësi, romantikët shqiptarë, veçmas De Rada dhe Naim Frashëri, e bënë Skënderbeun figurën qendrore mbi të cilën do të ndërtohej nacionalizmi shqiptar. Ai i plotësonte disa kushte që të ishte i tillë: beteja e tij antiosmane ishte argument për prirjen europiane të rilindësve shqiptarë dhe të nacionalizmit shqiptar; beteja e tij antiosmane ishte argument për të kërkuar autonomi ose pavarësi nga Perandoria; ai ishte edhe i krishterë (Gjergj) edhe mysliman (Skënderbe), ashtu siç ishte heterogjen edhe kombi shqiptar; dhe ai ishte figura që i nxirrte shqiptarët si një komb që qysh në Mesjetë kishin pasur kolosë që asocoheshin me Lekën e Madh (Aleksandri i Madh ose, në versionin osman, Büyük Iskender).

Diskursi rilindës për Skënderbeun do të përdorej dendur jo vetëm në letërsi, por do të ishte motiv edhe në zhvillimet politike e ushtarake të shqiptarëve në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Ai do të bëhej kartë identiteti e shqiptarëve në Europë, madje duke u përdorur – shpesh – edhe me arsyetimin se “Europa u ka borxh shqiptarëve, sepse Skënderbeu e mbrojti Europën nga Perandoria Osmane”, një tezë që sigurisht nuk qëndron shkencërisht kur dihet se Perandoria u ndal dy herë në dyert e Vjenës (1529 dhe 1683) nga Perandoria e Austro-Hungarisë.

Megjithatë, nacionalizmi shqiptar do të kishte një figurë reference, e cila do të mund ta bashkonte një komb mjaft heterogjen, siç ishin shqiptarët.

Skënderbeu i historiografisë

Meqë historia nuk është një shkencë me konstatime absolute, por një interpretim i fakteve e dokumenteve, për fat të keq edhe historia e Skënderbeut në autorë të ndryshëm ka dalë me pamje të ndryshme. Dhe, kjo nuk ka ndodhur vetëm për arsye të zellit ideologjik që mund ta kenë pasur studiues të caktuar, por edhe për arsye se asnjë figurë nuk mund të gjykohet vetëm përmes disa dokumenteve. Ne kemi pa fund raste kur dikush në një dokument mund të dalë ndryshe, ndërsa në një dokument tjetër mund të dalë krejt ndryshe. Fjala bie, në shkrimin e Çajupit “Klubi i Selanikut” akuzohet si “halldup” edhe ai që ne e njohim si babai i nacionalizmit shqiptar, Mithat Frashëri, kjo vetëm sepse në një mbledhje ku kishte qëlluar Çajupi, qenka biseduar vetëm turqisht.

Nisur nga kjo, përveç meritës që e ka për zbardhjen e jetës së Skënderbeut, të betejave të tij, por edhe të jetës së familjes së tij, historianët kanë ditur edhe të ngatërrojnë gjëra ose ta vendosin Skënderbeun në shërbim të kauzave të ndryshme ideologjike. Kështu Skënderbeu i kohës së Mbretit Zog ishte një asocim për “Mbretin e Shqiptarëve”, ndërsa Skënderbeu i Enver Hoxhës ishte një “luftëtar për barazinë e klasave”, sigurisht të gjitha këto të mbështetura në argumente “shkencore” të historiografisë. Më vonë, pas viteve ’90-ta, ai ka dalë si një Skënderbe me prirje oksidentale, ashtu siç kanë qenë këto vite në sloganin “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Prezantimi i tillë i Skënderbeut gjithnjë ka zgjuar polemika. Kur një historian ka sjellë argumente për krushqitë e Skënderbeut me serbët, se një vëlla i tij përfundoi në manastir grek etj., këto bëhen fragmente që sa e zbardhin figurën e Skënderbeut, po aq edhe mund ta mjegullojnë, sepse në kohën kur jetoi ai as grekët e as serbët nuk ishin komb në kuptimin modern të këtij termi, ndërsa krushqitë dhe aleancat lidheshin mbi baza të tjera nga ato që i njohim në kohën e kombit modern shqiptar.

Skënderbeu i katolikëve

Pas ikjes së osmanëve, më 1912, pasi që shqiptarët e shpallën pavarësinë, synimi i tyre u bë lidhja me Perëndimin. Kjo ishte arsyeja që gjithnjë e më shumë të përdoret figura e Skënderbeut si sinapsë e shqiptarëve me kontinentin europian, ndërsa këtë veçmas e shfrytëzuan qarqe të caktuara katolike, që “të argumentojnë” se “Skënderbeu e shpëtoi Europën nga Islami”, se “Skënderbeu ishte vazhdimësi e një kryqëzate”, duke i ndërmendur me këtë rast kontaktet që i kishte ai me Papën, ndërsa ky narrativ vazhdon të përdoret edhe sot nga kleri katolik shqiptar në shërbim të konvertimit të shqiptarëve në të a.q. “feja e të parëve” ose “feja e kryezotit të Arbërit, Gjergj Kastriotit”. Kësaj sigurisht i kanë ndihmuar edhe ligjërimet në kisha për Skënderbeun, fotografitë e tij në to etj. dhe, përkundër “suksesit” që kanë pasur për ta bërë Skënderbeun “kryqtar”, duke e përvetësuar, ata – në një mënyrë – edhe e kanë përjashtuar atë nga gjiri i përgjithshëm i kombit, duke e reduktuar në “grigjën e kishës”.

Skënderbeu i myslimanëve

Meqë shqiptarët myslimanë (më saktë, praktikuesit e fesë islame) përgjithësisht kanë simpati për shtetin osman jo vetëm për arsye fetare, por edhe për shkak se besojnë se ata “u ndriçuan me dritën e Islamit” për shkak të kontaktit me osmanët, për çka kanë kontribuar ndjeshëm krerët fetarë myslimanë, për besimtarët shqiptarë myslimanë është bërë i vështirë akomodimi i “kryqtarit” Skënderbe (sipas interpretimit katolik) në identitetin e tyre. Dikush që e ka luftuar shtetin që atyre ua ka sjellë Islamin është vështirë të gëlltitet, kjo pavarësisht argumentit se nuk ishte Skënderbeu ai që shkoi ta pushtojë Stambollin, por ishte sulltani ai që erdhi ta pushtojë Krujën dhe pavarësisht se mbrojtja e pragut të shtëpisë është detyrim i secilit njeri pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare e politike.

Kur kësaj ia shtojnë edhe “argumentin” se “Skënderbeu e ka luftuar Islamin”, pranimi i tij për besimtarët myslimanë bëhet akoma më i vështirë, madje krijon frustracion të llojit të vet: ta duash e ta respektosh dikë që ka luftuar kundër përhapjes së fesë tënde.

Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Nëse i shikojmë revistat fetare islame të periudhës para Luftës së Dytë Botërore ose i lexojmë predikimet e hoxhallarëve të asaj kohe (edhe nëpër xhami), shohim se ata jo vetëm që e kishin mirëpranuar Skënderbeun, por nuk e kishin fare problem që edhe në hutbe (ligjërimin javor të së premtes) të flasin për të. Para do kohe më ra në dorë dorëshkrimi i një hoxhe nga Ladorishti i Strugës (Demish Labënishti), i cili në vitet e ‘30-ta ka shkruar një tekst 11 faqe për Betejën e Torviolit, që u zhvillua më 29 qershor 1444 mes Skënderbeut dhe forcave osmane të udhëhequra nga Ali Pasha.

Por, gjërat shkuan keq dhe tashmë sa më shumë që katolikocentristët e tërheqin Skënderbeun në kishë dhe në Krishterim, aq më shumë ua marrin Skënderbeun myslimanëve konservatorë dhe ua rrisin frustracionin për pranimin dhe akomodimin e tij si figurë unifikuese e kombit.

Skënderbeu antiturk

Skënderbeu është përdorur gjatë gjithë kohës në letërsinë shqipe, por edhe në historiografinë shqiptare, si tharmi i nacionalizmit shqiptar, por që në esencë është antiturk. Megjithëse shqiptarët, siç thotë edhe Sami Frashëri, i kanë armiq “shqetë” dhe “greqtë”, qarqe të caktuara të historianëve e opinionistë të ndryshëm vazhdojnë edhe sot ta shajnë turkun, duke e përdorur për këtë dendur edhe emrin e Skënderbeut. Ndonëse në kohën tonë shqiptarët janë aleatë të turqve në kuptim politik dhe ushtarak, ndërsa në luftë aktive me serbët dhe grekët, diskursi antiturk nuk pushon. Skënderbeu u ka shërbyer qarqeve antiturke si material me të cilin e kanë përligjur kauzën e tyre dhe kjo në jo pak raste u ka lënë shije të hidhur marrëdhënieve të mira ndërshtetërore me Turqinë dhe me kombin turk.

Në fakt, figura e Skënderbeut shpesh paraqet “problem” edhe sot në marrëdhëniet e shqiptarëve me Republikën e Turqisë ose të shqiptarëve dhe turqve. Andaj, nëpër takime e ngjarje të komunikimit të ndërsjellë turko-shqiptar gjithnjë eskivohet emri i tij dhe shqiptarët sikur ndihen me faj që Skënderbeu ka luftuar kundër osmanëve (ndonëse në një kontekst krejt tjetër historik), ndërsa turqit, si trashëgimtarë të osmanëve, e kanë bezdi t’u flasësh për Skënderbeun, sepse atë e perceptojnë si sulm ndaj të kaluarës së tyre. Ndërkohë harrohet se rebelë si Skënderbeut kundër Perandorisë në atë kohë ka pasur dhjetëra në të gjitha skajet, madje se edhe vëllai i Sulltan Mehmet Fatihut ishte në anën e Bizantit në betejën për Kostandinopojën, siç ndodhte në anën tjetër që nipi i Skënderbeut, Hamza Kastrioti, të jetë në anën e osmanëve kur zhvillohej ekspedita osmane kundër Skënderbeut.

Skënderbeu i akomoduar

Sidoqoftë, në rrethanat e reja në të cilat jetojmë, nëse shqiptarët dëshirojnë ta ruajnë Skënderbeun si figura emblematike e kombit, ata duhet ta ridefinojnë dhe akomodojnë ndryshe emrin e tij në identitetin e tyre. Studimi i figurës së tij në dritën e dokumenteve duhet të mbetet detyrë e historianëve. Le të shkruajnë ata artikuj e libra e le të përkthejnë sa më shumë dokumente mbi Skënderbeun. Veçmas duhet të përkthehen sa më shumë dokumente osmane për të, sepse ky është një korpus më pak i njohur në historiografinë shqiptare. Ajo është detyra e tyre.

Por, shtetet shqiptare dhe opinioni shqiptar, që dëshirojnë ta kenë Skënderbeun strumbullar të nacionalizmit shqiptar, duhet ta rimendojë ndryshe figurën e tij. Neve si komb, edhe ashtu heterogjen e me disa vija të çarjes, nuk na duhet një Skënderbe që e (për)çan kombin. Andaj ne duhet ta nxjerrim Skënderbeun nga kisha dhe nga “fushatat e kryqëzatave”. Po ashtu duhet ta heqim nga istikamet antiturke dhe nga diskursi antiturk, siç duhet ta nxjerrim edhe nga identiteti i mveshur antimysliman. Një Skënderbe i tillë, i akomoduar, do të ishte bashkuesi i fiseve arbërore në Lidhjen e Lezhës, ai ishte edhe i krishterë edhe mysliman, edhe ushtar i sulltanit edhe aleat i Perëndimit dhe, përkundër asaj se pjesën e fundit të jetës thuhet se e bëri si i krishterë dhe u varros në kishë, nuk hoqi dorë as nga emri i tij mysliman, që ia kishin dhënë osmanët.

Debati për “të vërtetat” e jetës së tij nuk duhet të jetë arsye për përçarje, por ai është debat i akademisë. Shteteve shqiptare, arsimit shqip, kulturës kombëtare i duhet një Skënderbe që unifikon dhe bashkon.

Çfarë Skënderbeu duam?

Related posts

Moti sot me vranësira dhe temperatura deri 14 gradë

Gazeta Max

13 persona janë arrestuar këtë fundjavë gjatë aksionit policor në objekte hotelierike

Gazeta Max

Kovaçevski-Val: Të gatshëm të kryesojmë me OSBE nga janari i 2023

Gazeta Max