GazetaMax
Lajme

Debati për propozim buxhetin vazhdon nesër, refuzohen 4 amandamente

Shkup, 6 dhjetor – Debati për amendamentet për Propozim-buxhetin për vitin 2023 në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet vazhdon nesër, pasi sot ishin shqyrtuar dhe refuzuar disa amendamente të propozuara nga deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE-ja propozoi amendament për sigurimin e mjeteve në vlerë prej katërqind milionë denarë për ndihmë qytetarëve përmes kthimit të të gjithë vlerës së TVSH-së për produktet ushqimore të cilat do t’i blejnë çdo fundjavë deri në fund të gjendjes së krizës.

Sipas zëvendësministrit të Financave, Filip Nikollovski masa e tillë nuk është e nevojshme, sepse siç bëri të ditur edhe më parë Qeveria, janë bërë analiza sipas të cilave mendohet që nga viti i ardhshëm të ketë dy fundjava pa TVSH për qytetarët për produktet për ushqim.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Igor Zdravkovski sqaroi se masa për heqjen e TVSH-së për produkte ushqimore, do të nënkuptojë ndihmë të drejtpërdrejt që qytetarët të mund ta rrisin kapacitetin e tyre konsumues, megjithatë të ndihmohen edhe kapacitetet prodhuese dhe tregtarët për të cilët siç tha ai “kanë qarkullim të ulur dhe konsum të ulur nga viti i ardhshëm”.

Deputetja e LSDM-së Daniella Markovska, theksoi se amendamenti është absurd, me sqarimin se ekonomikisht është i pamundur dhe pa efekt.

“Kur sollëm masën e fundjavës pa TVSH, ju talleshit, e nënçmonit, ndërsa tani po parashtroni një amendament të tillë, që nuk kërkoni një fundjavë pa TVSH, por për katër muajt e ardhshëm, çdo fundjavë pa përjashtim të jetë fundjavë pa TVSH për industrinë ushqimore. Dhe ky amendament absurd nuk është ekonomikisht efikas, nuk besoj se jeni konsultuar me ekonomistët tuaj dhe nëse nuk jeni konsultuar mos ngurroni t’i pyesni nëse mund të mbahet diçka e tillë, edhe në këtë situatë në të cilën ndodhemi të gjithë, dhe në çdo kohë tjetër”, tha Markovska.

Me tri vota për dhe shtatë kundër ky amendament nuk ishte miratuar.

Gjithashtu, komisioni nuk e aprovoi amendamentin e propozuar për sigurimin e mjeteve në vlerë prej 70 milionë denarë për themelimin e fondit të posaçëm zhvillimor për turizmin dhe hotelierinë, subvencionimin e objekteve hotelierike që do të marrin statusin e hoteleve të gjelbra, regjistrimin dhe promovimin e ndërtesave fetare, zhvillimin e llixhave dhe turizmit shëndetësor, turizmit sportiv adrenalin i gjuetisë dhe peshkimit, përgatitja e një studimi për zhvillimin e formave alternative të turizmit dhe rregullimin e plazheve të përshtatshme për personat me nevoja të veçanta.

Zëvendësministri i Financave tha se mjetet për zhvillim dhe mbështetje të turizmit sigurohen përmes dy shfrytëzuesve të buxhetit, përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Agjencisë për Promovim dhe Mbështetje të Turizmit, dhe pikërisht këto mjete siç tha ai realizohen përmes programit qeveritar i cili përfshin aktivitete të bazuara në prioritete të përcaktuara, politika dhe strategji në sferën e turizmit.

Në kuadër të kësaj mbledhje më parë ishin refuzuar edhe dy amendamente të propozuara nga opozita, ndërsa kishin të bënin me furnizimin e 50 automjeteve zjarrfikëse dhe rritje të pagave për 10 për qind në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Related posts

Fillon polemika pas refuzimit të nismës për Referendum

Gazetamax.mk

MMJPH: Gjeoekonomia e gjelbër në fokus të Samitit Evropian në Pragë

Gazetamax.mk

Kovaçevski për takimin e liderëve shqiptarë në Tiranë: E vlerësoj pozitive

Gazetamax.mk