GazetaMax
LAJME

Deputetët në pushim deri më 10 janar, në rend dite ratifikimi i marrëveshjes me Frontex

Shkup, 3 Janar – Deputetët rikthehen nga pushimi dimëror më 10 janar. Një nga 15 pikat e rendit të ditës në seancën e parë plenare të 2023-shit, është projektligji i propozuar nga Qeveria, për ratifikimin e Marrëveshjes me Frontex-in, të cilin Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Evropian e nënshkruan më 26 tetor 2022, me pjesëmarrjen në nënshkrim edhe të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që kryesonte delegacionin e KE-së. 

Me ratifikimin e saj, Marrëveshja me Frontex-in do të bëhet pjesë e rendit të brendshëm juridik të vendit dhe hap mundësinë e krijimit të operacioneve të përbashkëta të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, me kërkesë të vendit tonë mundësohet që në pikat kritike të kufirit të vendosen oficerë policie të Frontex-it, që do të punojnë bashkë me policët e Maqedonisë së Veriut. Kjo, siç sqarojnë nga ekzekutivi, do të kontribuojë në rritjen e nivelit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe njohurive, si dhe mundësinë e përdorimit të të gjitha pajisjeve të Frontex-it.

Pas ratifikimit të saj në Kuvend, do të njoftohet edhe shërbimi ligjor pranë Komisionit Evropian.

Related posts

Nga nesër lëvizin 60 minuta përpara

e-max

Seanca për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese vazhdon nesër

e-max

“Sulmohet” faqja e OSBE Shkup – Bëhet “hotline” vietnamez

e-max