Shkup, 6 janar – Më shumë se 430 milionë euro investime të reja dhe mbi 2.000 vende të reja të punës vetëm për një vit – me këto shifra e përmbyllim vitin më të mirë deri tani që nga ekzistimi i zonave zhvillimore teknologjike-industriale. Tashmë në tetor e tejkaluam edhe kufirin më të lartë të eksportit prej tre miliardë euro, që ishte rezultati më i lartë paraprak i arritur në vitin 2021, shprehet në intervistën për MIA-n drejtori i Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski.
Despotovski thekson se këtë vit e fillojmë me investim të ri nga Amerika e Veriut, që do të vendoset në ZZHTI Shtip dhe do të sjellë rreth 2 000 vende të reja të punës, ndërsa fillimi i prodhimit është planifikuar për në fund të vitit 2023. Detajet për investimin amerikan, paralajmëroi ai, do të njoftohen për dhjetë ditë, edhe nga menaxhmenti i kompanisë edhe nga Qeveria.
“Dhe gjithsesi, nuk ndalemi këtu. Siç e përmenda edhe në pyetjen paraprake, tashmë një vit punojmë në bisedime me kompaninë amerikane-tajvaneze, ku në konkurrencë janë Serbia fqinje, por edhe RP e Kinës. Pres që për një-dy muaj të kemi lajme të mira dhe do të kemi investimin e radhës më të madh në ekzistimin e ZZHTI, këtë herë mbi 200 milionë euro dhe afër 4 000 vende të reja të punës”, thekson drejtori.
Ai shpalos edhe atë se janë duke zhvilluar bisedime për zonën e re të teknologjisë së lartë Shkupi 3.
Despotovski jep vlerësim për vitin e kaluar 2022, përqendrohet në krizën, pagat në zonat, nevojat për kuadër të kualifikuar,…
“Pres që qëllimi fillestar që ia kemi vendosur vetes, e ky është një miliardë euro investime të reja në zonat deri në fund të mandatit në vitin 2024, ta arrijmë sivjet”, konstaton Despotovski.
Drejtor, me sa investime të reja të huaja në zonat e përmbyllët vitin 2022 dhe me sa punësime të reja?
– Më shumë se 430 milionë euro investime të reja dhe mbi 2.000 vende të reja të punës vetëm për një vit – me këto shifra e përmbyllim vitin më të mirë deri tani që nga ekzistimi i zonave zhvillimore teknologjike-industriale. Tashmë në tetor e tejkaluam edhe kufirin më të lartë të eksportit prej tre miliardë euro, që ishte rezultati më i lartë paraprak i arritur në vitin 2021.
Por, ajo që në veçanti më gëzon është fakti se vetëm në dy vitet e fundit janë hapur mbi 3 500 vende të reja të punës, ndërsa nga viti 2017 e deri më sot shifra është + 10.000. Këto janë 160 për qind më shumë vende të punës nga ajo që është realizuar në periudhën e viteve 2007 – 2016. Ata janë 10 000 bashkëqytetarë tanë, familje, fqinj, miq të cilët kanë fituar mundësinë për të realizuar jetesë të duhur në shtëpi. Pagat rriten dhe për herë të parë në vitin 2021 i tejkaluan ato mesatare në gjithë ekonominë. Sivjet, ndonëse të dhënat duhet të përmblidhen me llogaritë përfundimtare, pres rritje të pagës neto për së paku 15 për qind, e ka shumë gjasa që rritja të jetë edhe më e madhe.
Dhe ky nuk është sukses vetëm për ZZHTI-në, Qeverinë ose për Jovan Despotovskin, por është diçka që duhet të na gëzojë të gjithëve. Politika ime është se njerëzve u nevojiten rezultate konkrete, evidente. Marrja me politikë, premtime, strategji dhe ngjashëm nuk i paguajnë llogaritë në shtëpi, nuk i mbulojnë shpenzimet për arsim dhe shëndet të duhur, e as nuk vënë ushqim në tavolinë.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen investitorët e huaj në këtë periudhë të krizës dhe çfarë bën Drejtoria në drejtim të tejkalimit të tyre?
Kriza energjetike pa dyshim është sfida më e madhe me të cilat përballen kompanitë, jo vetëm këtu, por edhe globalisht. Megjithatë, analizat tona tregojnë se kompanitë në zonat e amortizojnë mirë goditjen nga zhvillimet globale. Kështu për shembull, te 70 për qind e tyre kemi regjistruar import të rritur në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe rritje të numrit të vendeve të punës. Përkundër kësaj jemi duke punuar në masat me të cilat kompanive u mundësojmë të vendosin centrale fotovoltaike dhe rrymën ta përdorin për nevojat personale, e së shpejti do të dalim edhe me propozim se si të shfrytëzohet teprica e rrymës në sistemin.
Në mënyrë plotësuese kemi përpunuar metodologji tërësisht të re për dhënien e ndihmës shtetërore, ku në plan të parë nuk është vetëm interesi i investitorëve, por edhe kthimi për shtetin, respektivisht shoqërinë, me çka saktësohet në mënyrë plotësuese pjesa që ka të bëjë me ndihmën shtetërore. Vendosëm rregulla të qarta të lojës dhe letra të hapura. Kështu që fitojmë besimin e investitorëve dhe kjo tregoi qartë në dy vitet e kaluara. Në fakt, viti 2022 do të mbetet i shënuar edhe si vit në të cilin arritëm marrëveshjen më të madhe për investim të huaj në ZZHTI në përgjithësi. Me kompaninë farmaceutike gjermane Gereshajmer arritëm marrëveshje prej mbi 130 milionë euro, edhe atë vetëm në një fazë.
Ajo që është e re në vitin 2023 është koncepti tërësisht i ri i funksionimit të Drejtorisë me integrimin edhe të institucioneve të tjera në shtet që duhet të krijojnë një pikë hyrëse për mbështetje shtetërore për të gjitha kompanitë e mesme dhe të mëdha, pa dallim prej ku vjen kapitali dhe ku janë të vendosur. Kështu, së shpejti Agjencia për Investime të Huaja do të integrohet në Drejtorinë për ZZHTI dhe do të krijohet një pikë hyrëse për kompanitë e mesme dhe të mëdha, të huaja dhe vendore. Servis i mirëfilltë kombëtar investues. Kjo do të na japë hapësirë të madhe për lojë dhe sigurim të kushteve dhe shërbimeve më të mira për investimet, jo vetëm të huaja, por edhe vendore. Qëllimi është që në territorin e gjithë vendit ta reflektojmë konceptin e suksesshëm të zonave.
Sa janë pagat në zonat dhe a kanë ndërmarrjet mungesë të kuadrit të kualifikuar?
– Analizat e para tregojnë rritje të pagave prej së paku 15 për qind te kompanitë në zonat krahasuar me vitin e kaluar, si dhe se sivjet do të jenë mbi mesataren shtetërore. Paga më të larta ishte një nga qëllimet e para që i vendosa edhe personalisht për mua suksesi më i madh është se arritëm të imponojmë paga më të larta në mënyrë që bashkëqytetarët tanë të jenë segmenti kyç në planet investuese të investitorëve të ardhshëm të huaj me çka përfundimisht e braktisëm konceptin e fuqisë së lirë punëtore.
Problemi me kuadrin që u nevojitet kompanive nuk është vetëm te ne. Prandaj, vazhdimisht e përsëris se duhet të kuptojmë se si shtet i vogël kemi resurse të kufizuara, jo nga aspekti i financave ose truallit, por nga aspekti i njerëzve. Prandaj, duhet të investojmë në potencial intelektual, veçanërisht për të rinjtë dhe t’u hapim mundësi për të përparuar këtu. Jemi të vetëdijshëm se duhet të punojmë në mënyrë që t’i mbajmë në shtëpi, meqë ata do ta lëvizin këtë shtet përpara. Këtu kemi aq shumë të rinj të mençur të cilëve përmes punës në kompani të avancuara me teknologji të lartë duhet t’u ofrojmë mundësinë që të kapitalizojnë potencialin intelektual.
Prandaj investojmë në programe për trajnim. Vitin e kaluar vendosëm masë të re me të cilën shteti ua mbulon deri 50 për qind shpenzimet kompanive për trajnim ose edukim plotësues të kuadrit përkatës dhe këtë masë do ta shfrytëzojnë një pjesë e mirë e kompanive ekzistuese, por edhe të reja me të cilat nënshkruajmë marrëveshje.
Cilat janë projeksionet për vitin 2023 në raport me investimet?
Kemi interes dukshëm të rritur te investitorët, jo vetëm të huaj por edhe vendorë. Vetëm në këtë moment në ZZHTI jemi në fazë të bisedimeve më të avancuara për investime mbi 500 milionë euro. Përmes Ligjit për investime të huaja punojmë në investimin e “Mitilineos”-i grek në pjesën e energjetikës, që peshon mbi 200 milionë euro.
Por, ajo që është edhe më e rëndësishme është se më shumë po hapemi edhe ndaj kompanive vendore, meqë te ato ka potencial të madh investues. Së shpejti në zonat do të investoj edhe një kompani e madhe maqedonase që besoj se me siguri do të nxisë një varg investimesh nga kompanitë vendore. Nga dhjetori në procedurë qeveritare janë edhe ndryshimet e Ligjit për zona industriale dhe të gjelbra, me të cilat do të rritet dukshëm numri i kompanive shfrytëzuese të zonave, në pjesën më të madhe ato vendore. Qëllimi është që modeli dhe mbështetja që deri para do kohë ishte ekskluzivisht e drejtë/privilegj i kompanive të huaja, t’i vendosim në dispozicion të plotë edhe të kompanive vendore.
Me të gjitha këto aktivitete, pres që qëllimi fillestar që ia kemi vendosur vetes, e ky është një miliardë euro investime të reja në zonat deri në fund të mandatit në vitin 2024, ta arrijmë sivjet,
Cili do të jetë investimi i parë i ri i huaj në vitin 2023 dhe a mund të na zbuloni në cilën zonë?
Këtë vit, 2023, e fillojmë me investim të ri nga Amerika e Veriut, që do të vendoset në ZZHTI Shtip. Këtë ua premtuam bashkëqytetarëve tanë nga rajoni lindor diku nga mesi i vitit 2022, ndërsa në fund të dhjetorit i mbaruam bisedimet me sukses. Investimi i ri do të jetë rreth 2 000 vende të reja të punës, ndërsa fillimi i prodhimit është planifikuar tashmë në fund të vitit 2023.
Për dhjetë ditë, me kumtesë të përbashkët të menaxhmentit të kompanisë dhe Qeverisë do të njoftohen të gjitha detajet për vetë investimin.
Dhe gjithsesi, nuk ndalemi këtu. Siç e përmenda edhe në pyetjen paraprake, tashmë një vit punojmë në bisedime me kompaninë amerikane-tajvaneze, ku në konkurrencë janë Serbia fqinje, por edhe RP e Kinës. Pres që për një-dy muaj të kemi lajme të mira dhe do të kemi investimin e radhës më të madh në ekzistimin e ZZHTI, këtë herë mbi 200 milionë euro dhe afër 4 000 vende të reja të punës.
Nëse me “Gereshajmer”-in gjerman, vendi vendoset në listën e destinacionave serioze investuese, me projektin e ri që e përmenda, ky pozicion vërtetohet përfundimisht dhe forcohet.
A ka një lloj bisedimesh për zonën e re të teknologjisë së lartë Shkupi 3?
– Po. Vetëm disa muaj pas promovimit të konceptit të zonës së teknologjisë së larta, morëm letër për interes nga kompani japoneze me famë botërore në fushën e elektronikës. Sfida këtu është e madhe, meqë ky është koncept tërësisht i ri jo vetëm për ne, por edhe për gjithë rajonin. Qëllimi është të sjellim kompani që do të fokusohen vetëm në teknologji të larta që sjellin vende të punës me paga të larta, veçanërisht për të rinjtë. T’u sigurojmë kushte evropiane (globale) këtu në shtëpi në mënyrë që të mos i kërkojnë jashtë kufijve.