Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia familjare në Chiari të Italisë, ku 21-vjeçari shqiptar Eduart Xhani akuzohet se vrau me thikë nënën e tij

Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia familjare në Chiari të Italisë, ku 21-vjeçari shqiptar Eduart Xhani akuzohet se vrau me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha.
Sipas gazetës italiane “Giornale di Brescia”, i riu është paraqitur vetë në një stacion të karabinierëve në Cremona, me rrobat e mbuluara nga gjaku.
“Kam vrarë mamanë, e gjeni në shtëpi”, mësohet t’u ketë thënë ai efektivëve, përpara se të heshtte dhe të mos jepte shpjegime të tjera.
Karabinierët kanë shkuar menjëherë në banesën e familjes, ku kanë gjetur të pajetë 39-vjeçaren. Sipas hetimeve paraprake, ajo dyshohet se ishte goditur rreth dhjetë herë me thikë.
Por ajo që ka tronditur komunitetin shqiptar janë dëshmitë e njerëzve që e njihnin Eduartin.
Dennis Beqiri, drejtues i shoqatës së shqiptarëve në Chiari, ku 21-vjeçari kishte kryer edhe praktikën shkollore, e përshkruan si një djalë të edukuar dhe punëtor.
“Eduarti ishte një djalë shumë i mirë, i edukuar, serioz, një shembull për komunitetin. Ishte gjithmonë i përpiktë, i buzëqeshur dhe korrekt. Isha i bindur se do të bënte karrierë”, deklaroi Beqiri.
Edhe kryebashkiaku Gabriele Zotti e ka cilësuar ngjarjen të pashpjegueshme, duke theksuar se familja ishte e njohur dhe e integruar në komunitet.
Meleqe Lusha e kishte rritur e vetme djalin e saj dhe punonte në Spitalin Civil të Breshias.
Ndërkohë, 21-vjeçari është dërguar në burgun Canton Mombello, ndërsa hetuesit vijojnë kërkimet për armën e krimit.
Motivi i vrasjes mbetet ende mister. Sipas raportimeve, Eduarti nuk ka dhënë një shpjegim për atë që ndodhi mes tij dhe nënës.