Ushtria izraelite njoftoi këtë të diele se katër persona të armatosur u vranë në Rafah në Rripin jugor të Gazës pasi u panë duke dalë nga tunelet në një zonë ku operacionet izraelite janë duke u zhvilluar. Ushtria izraelite njoftoi se katër militantët palestinezë u panë gjatë natës në një zonë të Rafahut lindor.
Sipas tyre katër terroristë që dolën nga një infrastrukturë nëntokësore u neutralizuan nga Forcat Ajrore Izraelite. Të premten, ushtria izraelite tha se më shumë se 30 militantë që u përpoqën të shpëtonin përmes rrjetit të tuneleve ishin vrarë, dhe burime të shumta thanë se negociatat ishin duke u zhvilluar për fatin e atyre që janë ende të bllokuar në tunelet nëntokësore në Gazën jugore.
Hamasi u bëri thirrje vendeve të ushtrojnë presion mbi Izraelin që të lejojë militantët të kalojnë në mënyrë të sigurt, duke pranuar situatën publikisht për herë të parë. Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti, Turqia dhe Katari, hyri në fuqi më 10 tetor.
Si pjesë e marrëveshjes, ushtria izraelite u tërhoq pas të ashtuquajturës “Vijë e Verdhë”, një vijë brenda Gazës e shënuar me blloqe betoni të verdhë. Luftëtarët e Hamasit janë në tunele që shtrihen në Rripin e Gazës, i cili mbetet nën kontrollin izraelit.
Një zyrtar i Hamasit në Gaza tha se numri i luftëtarëve në tunelet në zonë vlerësohej të ishte midis 60 dhe 80. Armëpushimi mbetet i brishtë, me Izraelin dhe Hamasin që akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje, dhe Rripi i Gazës mbetet në një krizë të thellë humanitare.

