Dramat e luftës në një film dinamik

Filmi “Hana”, sipas skenarit të Fadil Hysajt, në regji të Ujkan Hysajt. Në rolet kryesore Sheqerie Buqaj, Refet Abazi, Ilire Vinca, Ermin Bravo, Teuta Hajdini, Fatlume Bunjaku, Agron Shala, Lumnije Muçaj etj.

Producent: Kushtrim Koliqi (Qendra Kinematografike e Kosovës).

Është vështirë të bësh një film ku paraqiten dramat njerëzore, kohën që ka lënë vragë në psikologjinë e kombit tonë. Është vështirë ta paraqesësh galerinë e personazheve që e bartin në vete një dangë, një kujtesë të hidhur. Lufta në këtë film është vetëm insert, pjesë e një kohe kur vriteshin burra e gra, ta pambrojtur dhe të pafajshëm. Mbi këtë kornizë veprimin ndërtohet “Hana” e Ujkan Hysajt.

Përdhunimet rrëfehen përmes një debati gati si në tryezën e rrumbullakët a në një muhabet grash, ku nis njëra e tregon tjetra. Në dukje të parë është diçka e zakonshme, por pastaj shpalohet fati (fatkeqësia) e grave që e përjetuan luftën. Ato nuk duan ta kujtojnë, po u thonë se kjo i ndihmon.

“Hana” është ndër filmat më tronditës që është xhiruar për luftën dhe për përdhunimet e grave në vendin tonë. Temat e tilla janë të rralla në kinematografinë tonë, sepse sikur nuk e kapërdijnë burrat poshtërimin e grave, apo sikur ua bënë copë e grimë imazhin e euforisë së përgjithshme me trimëri e këngë patriotike. Prandaj janë xhifruar si me droje këta filma.

“Hana” është një dramë psikologjike që nis si lojë aktrimi. Ato vuajnë dhe u duket provokim i llojit të veçantë, kjo vuajtje sepse ua zgjon dhimbej. Psikologët thonë se rikujtimi i së keqes i shkarkon nga e keqja, por rikujtimi i së keqes ua paraqet imazhet që nuk do të donin t’i kujtojnë dhe përballen me një jete që e kishin dikur por që megjithatë u thonë se duke e rrëfyer shkarkohen nga ajo. Athua shkarkohen? Vështirë të besohet, por megjithatë me të kaluarën duhet të del në sipërfaqe.

Skenaristi Fadil Hysaj shtron rrëfim interesant, regjisori ka mbledhur një galeri grash të kinematografisë sonë dhe shpalosin figura që të mbetën në kujtesë. Interpretimi i aktoreve Sheqerie Buqaj, Refet Abazi, Ilire Vinca, Ermin Bravo, Teuta Hajdini, Fatlume Bunjaku, Agron Shala, Lumnije Muçaj etj. është i mirë, paraqesin figura të veçanta, kurse Rafet Abazi, Ermin Bravo, Agron Shala dhe Bislim Mjuçaj e plotësojnë mozaikun.

“ Hana është një film i punuar me përkushtim të veçantë, me kujdes dhe pa patetikë. Ka diçka rrëqethëse, ka skena që e kujtojnë të kaluarën tonë. Sfondi me policë e ushtarak serbë është i pashmangshëm, sepse ata ishin strumbullari i së keqes, kurse gratë viktima që do ta vuajnë gjatë fatkeqësinë e tyre.

Burimi: Botasot