Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vdekjen e 39-vjeçarit Fabio Colapietro, trupi i të cilit u gjet i copëtuar brenda një apartamenti në periferi të Torinos. Për ngjarjen është ndaluar Christian Matheus De Oliveira Morando, 26 vjeç, i cili ka pranuar para autoriteteve se ka shkaktuar vdekjen e viktimës, por ka mohuar se bëhej fjalë për një krim të planifikuar.
Sipas versionit të dhënë nga i riu gjatë marrjes në pyetje, përplasja me Colapietron dyshohet se nisi për një shumë prej rreth 50 eurosh. Ngjarja kishte ardhur pas disa ditësh gjatë të cilave në apartament ishte zhvilluar një festë, e shoqëruar, sipas hetimeve, me konsum të alkoolit dhe substancave narkotike.
Mbrojtja e 26-vjeçarit ka deklaruar se klienti i saj ndodhet në gjendje konfuzioni dhe ka ngritur dyshime se ai mund të mos ketë vepruar i vetëm. Avokati ka përmendur përdorimin gjatë atyre ditëve të disa llojeve të substancave, mes tyre crack, LSD, kanabis, kërpudha halucinogjene dhe MDPHP, si dhe sasi të konsiderueshme alkooli.
Sipas rrëfimit të të dyshuarit, pasi ishte zgjuar një ditë më pas, i ishte thënë se Colapietro mund t’i kishte marrë rreth 50 euro. Mes tyre më pas kishte shpërthyer një konflikt fizik. Mbrojtja pretendon se gjatë përleshjes 39-vjeçari është rrëzuar dhe ka humbur jetën.
“E vrava, por pa dashje. Sigurisht që nuk ishte e planifikuar”, mësohet të ketë deklaruar 26-vjeçari përpara gjyqtarit.
I pyetur nëse e kishte kapur Colapietron nga qafa gjatë konfliktit, i dyshuari ka deklaruar se nuk e mbante mend. Avokati i tij pretendon gjithashtu se pas ngjarjes janë bërë përpjekje për rreth dy orë për ta rikthyer 39-vjeçarin në jetë, përmes frymëmarrjes artificiale dhe masazhit kardiak.
Hetuesit po përpiqen ndërkohë të përcaktojnë rolin e personave të tjerë që ndodheshin në apartament. Në kuadër të çështjes janë marrë në pyetje edhe Nicole Formichetti, 47 vjeçe, e cila kishte marrë me qira banesën, si dhe 22-vjeçarja Keith Butig. Ato dyshohen për veprime që lidhen me fshehjen e trupit dhe favorizimin.
Formichetti nuk ka dhënë përgjigje gjatë seancës para gjyqtarit. Mbrojtja e saj ka argumentuar se ajo nuk ishte në gjendje të dëshmonte dhe se mund të merret në pyetje në një fazë të mëvonshme.
Butig ka mohuar çdo përfshirje në vrasjen e 39-vjeçarit. Sipas avokatit të saj, ajo kishte qenë e pranishme gjatë festës dhe kishte blerë disa qese të zeza, por nuk kishte marrë pjesë në veprimet e mëvonshme. Mbrojtja pretendon se 22-vjeçarja ndodhej në gjendje të rënduar dhe ishte izoluar në një prej dhomave të apartamentit.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit person të përfshirë. Ndërkohë, pritet edhe vendimi i gjyqtarit lidhur me masat ndaj personave të ndaluar.
