GazetaMax
Lajme

Edhe 145 vjet pas Lidhjes shqiptare të Prizrenit, shqiptarët ende janë në kërkim të një Hasan Prishtina të dytë

Lidhja Shqiptare e Prizrenit sot nuk do të duhej të mësohej vetëm si një leksion në orët e para të mësimit nëpër shkollat tona. Ajo parasegjithash do të duhej të mbindërtohet si ndërgjegje e pastër politike për të gjithë ata që e kan pasion marrjen me punë të rënda shtetërore e institucionale. Sot fatkeqësisht kemi plot politikan të zgjuar, por ata ende vuajnë pasojat e robërisë së brendshme shpirtërore,  si rezultat i egove të mëdha, sepse, siç thonë psikologët, robëria e brendshme i pengon njerëzit ta perceptojnë drejt lirinë e jashtme.

Nga Mehmet PRISHTINA

Kur u mbajt Lidhja e Prizrenit, shqiptarët ishin të dekdisur në të katër anët dhe ishte vështirë të grumbullohen në një vend për të marrë vendime historike. Mirëpo ideali kombëtar ishte më i madh se kapriciet individuale, prandaj ajo depërtoi në zemrat e çdo idealist dhe e ndezi zjarrin e atdhedashurisë në të gjitha cepet e viseve shqiptare.

Sot kur rrethanat kanë ndryshuar në favor të proceseve për të cilat shqiptarët kishin luftuar me shekuj, a mund të themi se klasa politike – edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, po e neglizhon peshën dhe vizionin e Lidhjes  së Prizreni, duke mos punuar në frymën e saj?

Tani kur po shënojmë  145 vjet nga organizimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , një ngjarje kjo me karakter panshqiptar që për herë të parë në histori fermentoi energjitë e brendshme politike e ushtarake kombëtare, para nesh sërish shtrohet një pyetje e pashamangshme: Sa arriti kjo ngjarje e madhe historike të prodhojë një unitet në rrafshin e veprimit politik në hapësirat ku jetojnë aktualisht shqiptarët?

Pas Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptare në shekullin e 15, Lidhja e Prizrenit do të mbetet platforma më gjithëpërfshirëse e aspiratave shqiptare për unitetin kombëtar dhe territorial të tyre.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk erdhi vetvetiu dhe spontanisht si ngjarje e shkëputur nga konteksti i kohës. Sikundër dihet,  Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, me kohë kishte nuhat rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, me shpejtësi themeloi “Komitetin e  Shpëtimit” të trojeve etnike.

Historia e formimit të Lidhjes së Prizrenit na ka dëshmuar një fakt të pamohueshëm se pa përfshirjen e ajkës së kombit, që përbëhet nga intelektualët dhe atdhetarët më të devotshëm, liria dhe pavarësia kombëtare nuk do të arrinte asnjëherë. Kjo komponentë u vërejt që në Komitetin e Stambollit,  i cili përbëhej nga një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit: Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

Bashkimi i këtyre figurave të shquara të kombit, i hapi rrugën të gjitha aksioneve politike e ushtarke të shqiptarëve që ndodhën pas firmosjes së Marrëveshjes së Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territorial. Kështu lindi edhe Lidhja e Prizrenit , e cila u mblodh si kundërvënie ndaj aspiratave për copëtimin e viseve shqiptare.

Ajo çka e bën të veçant këtë Lidhje ishte fakti se delegatët që morën pjesë në Kuvendin Mbarëkombëtar  kishin si ajtmotiv pune një unitet të plotë mendimi e veprimi pasi që të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo çmim copëtimin e trojeve shqiptare dhe për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Karakteri dhe programi plitik i Lidhjes së Prizrenit do të shërbejë për shumë dekada si udhërrëfyes i atdhetarëve shqiptarë, të organizuar në grupime e  orientime të ndryshme politike e ideologjike. E përbashkëta e këtij udhërrëfimi ishte vendosja e interesave kombëtare mbi ato partiake e ideologjike. Vendosja e Atdheut mbi çfarëdo lloj interesi personal, siç veproi edhe kolosi kombëtar Hasan Prishtina, i cili mbetet shembull unik në historinë politike shqiptare, me vetëfljimin e tij për interesin e përgjithshëm kombëtar, duke hequr dorë nga të mirat materiaiale e fianciare që pati.

Për më tepër, siç shkruan edhe Fatmir Lekaj,  Hasan Prishtina është edhe kryeideologu i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise pas vitit 1912, i cili përveçse inspiroi dhe inkurajoi shumë të tjerë (për vazhdimin e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës me vise), i përfaqësoj dinjitetshëm këto përpjekje, qoftë në aspektin diplomatik si fillimpërpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare (SHBA-së etj.), qoftë në aspektin e orientimit të duhur politik të grupeve kaçake në Kosovë dhe në vise të Kosovës, dhe qoftë në aspektin e ruajtjes së karakterit çlirimtar të këtyre përpjekjeve për çlirimin e Kosovës: si të drejtuara kundër regjimit të Beogradit dhe jo si të drejtuara kundër popullatës civile serbe në Kosovë.

Kanë kaluar mbi një shekull dhe shqiptarët janë në kërkim të një Hasan Prishtine të dytë, i cili vizionin e udhëheqjes do ta bazonte mbi parimet e pastra kombëtare, që nënkupton sakrifikimin e egos personale në favor të kauzës shqiptare.

Sot fatkeqësisht kemi plot politikan të zgjuar, por ata ende vuajnë pasojat e robërisë së brendshme shpirtërore,  si rezultat i egove të mëdha, sepse, siç thonë psikologët, robëria e brendshme i pengon njerëzit ta perceptojnë drejt lirinë e jashtme.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit sot nuk do të duhej të mësohej vetëm si një leksion në orët e para të mësimit nëpër shkollat tona. Ajo parasegjithash do të duhej të mbindërtohet si ndërgjegje e pastër politike për të gjithë ata që e kan pasion marrjen me punë të rënda shtetërore e institucionale.

Do të tingëllonte anakronike të kërkojmë që shqiptarët të vazhdojnë të mbajnë kokën prapa dhe të kufizohen vetëm në forume të brendshme kombëtare, siç ishte edhe Lidhja e Prizrenit. Por, ajo çka është e pafalshme për liderët aktual shqiptarë, ndërlidhet me mosbashkëpunimin dhe moskoordinimin në mes tyre.

Sfidat janë shumë më të mëdha se kapriciet individuale të politikanëve tanë, prandaj duke kultivuar frymën e unitetit dhe bashkërendimit që pati Lidhja e Prizrenit, Liderët tanë në Prishtinë, Tiranë , Shkup, Podgoricë e Luginë të Preshevës, do të duhej të mblidhen dhe të takohen më shpesh në mes veti se sa me politikanët tjerë të rajonit. Atdhetarët shqiptarë nuk u flijuan vetëm për një copë lirie që e gëzojmë ne sot. Ata u flijuan mbi të gjitha për një kauzë panshqiptare e cila do të sillte më shumë mirëkuptim e harmoni të brendshme kombëtare, si parakusht i ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe integrimit edhe me popujt tjerë në kuadër të ombrellës euro-atlantike.

Related posts

Edhe nxënësit kundërshtojnë sindikatën e arsimit: Stop grevës

Gazetamax.mk

Kovaçevski: Do të shqyrtohen propozimet e VMRO

Gazetamax.mk

EDITORIAL: Mijëra banesa për të varfërit e të varfërit në rrugë !

Gazetamax.mk