Nga Arben Xhaferraj
Mediat na treguan sesi kryediplomati i Shqipërisë, në një komunikim të brendshëm, i quante shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”.
Dikush pyeti: si do kishte reaguar, po të ishte gjallë Arbën Xhaferri?
Do kisha menduar që edhe unë jam “idiot”.
Fjala “idiot” nuk ka lindur si fyerje. Në greqishten e lashtë, idiotes ishte njeriu privat, ai që nuk merrte pjesë në jetën publike të polisit. Njeriu që nuk kishte zë.
Në këtë kuptim, ne shqiptarët e Maqedonisë, kemi qenë gjithnjë idiotes në sytë e Tiranës. Jo sepse jemi të pamençur, por sepse kurrë nuk jemi trajtuar si qytetarë aktivë të idesë shqiptare.
Duke parë termin e përdorur nga ministri, më shumë se fyerje, është përbuzje.
Dhe pyes: çfarë lloj shteti formon njerëz që mendojnë kështu për bashkëkombasit e vet? Çfarë lloj elite prodhon një diplomat karriere i cili, në çastin e sinqeritetit të tij të vërtetë, atëherë kur beson se nuk e sheh askush, zgjedh përbuzjen?
Proceset historike vihen në lëvizje nga nevoja njerëzore për njohje. Nevoja për t’u parë, për t’u pranuar si i barabartë.
Ne, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kemi luftuar gjithë jetën për këtë njohje… nga shteti maqedonas, nga bashkësia sllave, nga Europa, nga bota.
Për ne, shteti shqiptar duhej të ishte pasqyra ku shikoheshim si të barabartë. Sapo mësuam se çfarë duket aty, në të vërtetë.
Sepse diplomacia shqiptare ndaj shqiptarëve të Maqedonisë nuk ka qenë kurrë diplomatike. Ka qenë paternalizëm në rastin më të mirë, indiferencë në të zakonshmin dhe, siç mësuam tani, përbuzje në thelbin e saj.
Ne e dimë këtë. E kemi ditur prej kohësh.
Thjesht nuk kishim dokumentin.
Tani e kemi.
Ne e kemi ndërtuar pjesën tonë të kombit këtu, në Maqedoninë e Veriut, me gjak, me sakrifica dhe me Marrëveshjen e Ohrit.
Pa ndihmën e atij grupi WhatsApp të ministrit./ piranjat.news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi
