GazetaMax
Lajme

EDITORIAL / Komunat pa kuadër të kualifikuar për IPA fonde, fajtor “punësimet partiake”!

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 14 tetor – Komunat në Maqedoninë e Veriut nuk po dinë dhe nuk po munden mjaftueshëm të thithin nga fondet e Bashkimit Evropian prandaj shumë para mbeten të pashfrytëzuara. E për këtë janë fajtor kapacitetet dhe resurset njerëzore të dobëta për të aplikuar me projekte para fondeve evropiane. Kuadri joadekuat është rezultat i punësimeve partiake do të duhura dhe në fund sherrin ua shohin vetë kryetarët e komunave dhe qytetarët! Para ka, por s’dimë t’i shfrytëzojmë!

Nuk shfrytëzohen as 1/3 e parave nga IPA fondet nëpër komuna

Një pjesë e madhe e parave të BE-së që janë në dispozicion nuk shfrytëzohen sa duhet dhe për këtë arsye dështojnë shumë projekte.

Shfrytëzimi i fondeve evropiane nga institucionet e Maqedonisë së Veriut e në veçanti nga komunat për momentin është rreth 30 për qind.

Ajo që është më e qartë është mungesa e kapacitetit të tillë njerëzor, ndërsa resurset e tilla në mënyrë të konsiderueshme e rrisin rrezikun e implementimit. Ka raste të komunave ku kanë filluar projekte dhe që janë ndalur për shkak të mungesës së kapacitetit për shkak të zbatimit të duhur, ndërsa ka komuna që i kanë ndërprerë edhe projektet e tyre.

Kryesisht varet nga madhësia e komunës dhe nga numri i të punësuarve. Jo të gjitha komunat në Maqedoninë e Veriut posedojnë resurse njerëzore dhe resurse financiare që të mund të lejojnë që t’i mësojnë apo të kenë njerëz përkatës të cilët do të punojnë vetëm në temën “fonde evropiane”.

Përdorimi i fondeve të BE-së ka kritere të qarta që duhet të zbatohen prandaj është e rëndësishme të dihet nëse komunat kanë kapacitet për zbatimin e këtyre projekteve dhe gjithashtu kapacitete për të menaxhuar me buxhet dhe financa.

Problemi më i madh me të cilin përballen komunat gjatë aplikimit është mungesa e bashkëfinancimit nga fondet e veta dhe financime të mjaftueshme për implementim.

Hulumtimet tregojnë se vetëqeverisja lokale duhet të rritë kapacitetet në drejtim të tërheqjes më të madhe të këtyre mjeteve financiare, sepse niveli i shfrytëzimit është i ulët, e për të tërhequr më shumë duhet të ketë trajnime se si përgatiten projektet dhe si fitohen mjetet.

Komunat s’kanë punëtorë të kualifikuar për IPA fonde

Mos zbatimi i reformës së Administratës Publike, struktura e çakorduar e nivelit lokal, mungesa e personave që merren me zbatimin e obligimeve për integrim në Bashkimin Evropian, janë vetëm disa nga arsyet pse nuk kemi shfrytëzim të mjaftueshëm të Fondeve IPA.

Disa komuna kanë persona që janë të dedikuar për fondet e BE-së, disa komuna tjera nuk kanë mjaftueshëm buxhet për të paguar as rroga për sektorin e financave. Në të gjitha komunat ka një strukturë të çakorduar, e sidomos dallojnë shumë komunat urbane dhe ato rurale.

Reforma e administratës publike është një kriter i rëndësishëm drejt Bashkimit Evropian dhe akoma komunat nuk kanë mundur të ndërmarrin ndonjë hap për shkak të ndërlidhjes së kësaj reforme në nivelin nacional.

Reformat duhet të jenë relevante dhe të mirëfillta. Planifikimi dhe zbatimi i reformave të qeverisjes lokale nuk përfundon me vendosjen e disa aktiviteteve themelore. Ato duhet të shoqërohen me planifikime të hollësishme dhe pasje të kuadrit profesionist.

Punësimet partiake pa kritere bien rezultate të dobëta

Kryesisht nëpër komuna punësimet janë puro partiake dhe shumë pak kanë kujdes në profesionalizimin e tyre. Të vetmin kriter që mundohen ta plotësojnë kryetarët e komunave në mënyrë të pavarur është plotësimi i kritereve që i parasheh ligji. Por se sa një i punësuar në komunë është i aftë të plotësojë kriteret e punës që i kërkohen, kjo nuk iu intereson partive politike. Me rëndësi, personi që punësohet të jetë anëtar besnik i partisë! Ky është gabimi më fatal që bëhet me partitë politike në vendin tonë.

Ndoshta është deri diku e pranueshme, që një i pëlqyer i partisë, i cili nuk i plotëson të gjitha kriteret profesionale të vendoset në ndonjë pozicion, por kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që ai të jetë një pozitë kyçe profesionale. Sepse sherrin më të madh në këtë rast ua sheh fillimisht vetë partia e pastaj edhe qytetarët.

Me thithjen e fondeve të BE-së duhet të kemi njerëz profesionistë që i dinë rregullat dhe që janë trajnuar për këto çështje. Prandaj jo secili mund të vendoset aty ku mendon kryetari i komunës dhe partia.

Dhe krejt tek e fundit, nëse partia ia ka besuar një pozicion të caktuar një personi, ai duhet të bëjë maksimumin që të arsyetojë veten e tij. Duhet të shkojë në trajnime shtesë, të mësoje gjuhë të huaja, të mësojë mënyrën e përpilimit të projekteve, të mësojë rregullat e BE-së për aplikim dhe pastaj të jetë i denjë që edhe komunës por edhe qytetarëve t’iu mundësojë këshilla dhe udhëzime profesioniste për aplikimin e fondeve të BE-së.

Related posts

Thaçi optimist se do të zgjidhen pengesat në vend

Gazetamax.mk

Bekteshi: Nga nesër prodhuesit duhet të ofrojnë çmime të reja

Gazetamax.mk

Vuçiq: Takim i vështirë, s’ka dorëzim

Gazetamax.mk