GazetaMax
LAJME

Editorial / Propozimet e VMRO-së për tejkalimin e krizës energjetike, shfrytëzim për pikë politike!

Shkruan, Zhurnal.mk

Shkup, 30 shtator – Opozita maqedonase i ka ofruar ndihmë qeverisë për të tejkaluar krizën energjetike. Por, edhe pse kjo tentativë në dukje duket shumë fisnike, sërish duket se është një blof politik që opozita tenton ta përdorë duke e nxjerrë qeverinë të paaftë për menaxhim me krizën. Oferta e çdokujt në menaxhimin e krizave është e mirëseardhur dhe e duhur, por shfrytëzimi i saj për pikë politike është dyfytyrësi. Kontributin më të madh opozita mund ta japë duke mos e bllokuar rrugën e integrimit evropian dhe jo duke paralajmëruar çdo ditë referendume, bllokada e protesta.

VMRO DPMNE ofron naftë dhe gaz për ta zbutur krizën energjetike

VMRO-DPMNE opozitare ofroi oferta të sugjeruara për blerjen e 200.000 tonë naftë për TC Negotinë dhe 250 milionë metër kub gaz për termocentralin e gazit TE-TO, që do të lehtësojë ndjeshëm krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut dhe do të kursejë së paku 300 milionë euro. Kështu ka bërë të ditur kryetari i partisë, Hristijan Mickoski duke i bërë thirrje Qeverisë dhe komunitetit të biznesit që të shfrytëzojnë resurset në dispozicion dhe të reagojnë shpejt që në fillim të kësaj jave. Aktualisht është pohuar se ka kontakte me kompani nga Gjermania, Zvicra dhe Çekia të cilat janë të gatshme të negociojnë me autoritetet në Maqedoninë e Veriut për shitjen e gazit.

Mickoski bashkë me këtë ofertë i ka bërë thirrje kryeministrit Kovaçevski që të zgjedhë një medium për ballafaqim televiziv në lidhje me propozimin e partisë opozitare për tejkalimin e krizës energjetike dhe të nxehtësisë.

Kovaçevski: Ka rrugë institucionale si bëhen ofertat

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e porositi VMRO-DPMNE-në që kontaktet për blerjen e rrymës së lirë t’i dorëzojë në SHA ESM ose në Ministrinë e Ekonomisë, sepse këta janë institucionet që merren me këtë punë.

Megjithatë çdo ndihmë në këto kushte është e mirëseardhur dhe do të respektohet, duke përsëritur se më 15 tetor do të fillojë sezoni i ngrohjes në Shkup dhe se do të ketë ngrohje.

“LSDM, grupi parlamentar dhe kryetari i saj i shtrijnë dorën të gjithë atyre që janë të gatshëm të tejkalojnë interesat e ngushta partiake, të punojnë për qytetarët dhe të japin kontributin e tyre në këtë drejtim. Shumica parlamentare dhe koalicioni që ai drejton janë plotësisht të përkushtuar dhe punojnë në masa dhe politika për të mbrojtur standardin e qytetarëve, për të ndihmuar ekonominë, për të siguruar ushqim, energji, rrymë, ngrohje, gjithçka që nevojitet në pritje të dimër i vështirë”, ka thënë kryetari i partisë në pushtet.

Kriza më e madhe është politike se sa ekonomike

Opozita maqedonase duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë shumë mirë se kriza politike që ata e shkaktojnë në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian është më e vështirë se kriza ekonomike, prandaj çdo tentativë për përfitimin e pikëve politike duke menduar se po ofrojnë zgjidhje për krizën ekonomike, është asgjë tjetër përveç se dyfytyrësi dhe një lojë e ulët populiste.
VMRO-DPMNE e ka shansin që në Kuvend të tregojë se sa e do të ardhmen e shtetit, e në këtë mënyrë të heqin dorë nga bllokada, shkatërrimi dhe frenimi dhe të tregojnë konstruktivitetin e paralajmëruar me hapa konkretë.

Nëse VMRO DPMNE pohon se janë konstruktivë në politikën e Maqedonisë së Veriut, atëherë këtë konstruktivitet të shpallur duhet ta dëshmojnë me mbështetje për rrugën evropiane të vendit dhe të gjithë hapat e nevojshëm për një përfundim të suksesshëm, të shpejtë dhe efikas të negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

Shteti dhe të gjithë qytetarët tanë kanë nevojë për unitet dhe veprim të përbashkët, në drejtim të përballimit të sfidave të krizës globale energjetike dhe ekonomike, si dhe për interesat strategjike të vendit. Qytetarët presin punë dhe rezultate dhe jo llafe boshe.

Mickoski duke dashur që të tregojë se sa shumë po punon dhe po mendon për të mirën e popullatës, e harron rrugën e cila duhet të ndiqet për blerjen apo shitjen e këtyre lëndëve energjetike. As Kovaçevski e asnjë politikan nuk mund të blejë e të shesë energji siç ti teket atij, por ka procedura ligjore, nëpërmjet të cilave duhet të realizohen të gjitha këto pazare.

Është pyetje se kujt i takon ky gaz. Nëse është ndonjë rezervë e gazit rus, ashtu siç e transmetuan disa media, atëherë është në kundërshtim të plotë me rregullat e vendosura nga perëndimi që nuk ka asnjë transaksion me Rusinë dhe produktet ruse. Është fakt se në tregun e zi po qarkullon shumë gaz dhe naftë ruse, e cila me re-export po shitet si naftë e Iranit ose e Indisë dhe shteteve të tjera, prandaj duhet të kihet kujdes se në këto turbullira çfarë blejmë dhe nga kush blejmë. Prandaj, kjo lloj energjie nuk blihet e shitet mes dy liderëve politik, por duhet të shkojë e gjithë procedura nëpërmjet organeve përgjegjëse të cilat kërkojnë certifikatat për cilësi, për origjinën e vendit dhe për një varg procedurash tjera.

Më shumë se një luftë e ulët politike, Maqedonisë së Veriut i duhet sot një hapje e integrimit të rrugës për në Bashkimin Evropian, e si shtet negociator me BE-në pastaj do te hapen më shumë dyer për furnizime dhe ndihmë energjetike edhe nga vetë BE-ja.

Related posts

Në parkun e GaziBabës vendosen elemente të reja për rekreacion

e-max

Shtrenjtohet benzina, lirohet dizeli

e-max

Ftohtë apo nxehtë, si do të jetë java e ardhshme?

e-max