Halil dhe Manolia janë emrat më pak të përdorur dy vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut!
Emri Dua në dy vitet është vendosur më së shpeshti te shqiptarët që u ka lindur vajzë, gjithsej 206 herë, ndërsa kur u ka lindur djalë, emri më i përdorur është Siar – 148 herë. Karakteristikë këto dy vitet e fundit është se vetëm një djalë u emërua me emrin Halil dhe një vajzë me emrin Manolia. Këtë për programin tonë e konfirmoi drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Faton Fazliu.
Statistikat e fundit nga Drejtoria e Librave Amë tregojnë se Dua dhe Siar janë emrat më të përdorur në Maqedoninë e Veriut në dy vitet e fundit. Vetëm nga një herë, këto dy vite, është vendosur emri Halil dhe Manuela. Këtë për programin tonë e thotë drejtori i këtij institucioni, Faton Fazliu, duke shtuar se prindërit po u japin më shumë rëndësi emrave të shkurtër dhe që nuk kanë ndonjë kuptim në gjuhën shqipe.
“Nga statistikat që i kam para vetes, qëndron se për vajzë, emri më i përdorur për dy vitet e fundit është emri Dua – 206 emërtime me këtë emër, ndërsa për djalë, emri Siar – 148 herë ua kanë vendosur fëmijëve këtë emër. Emri më i rrallë, apo i përdorur vetëm nga një herë, është Halil te djemtë dhe Manolia te vajzat. Vazhdon shumë rrallë të përdoret emërtimi i fëmijëve me emra tradicionalë apo arabë, ndërsa dy vitet e fundit kemi trend të emrave të shkurtër me tre apo katër shkronja, dhe që ndoshta nuk kanë ndonjë kuptim në gjuhën shqipe”, tha Fazliu për Radio Shkupin.
Te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, emri më i përdorur këto katër vitet e fundit është Hana, gjithsej 753 herë, pastaj Dua 450 herë, ndërsa sa i përket gjinisë mashkullore, është emri Amar, 389 herë. Përndryshe, sipas Entit Shtetëror të Statistikave në RMV, gjithnjë e më shumë po bie numri i natalitetit. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024 kanë lindur 7,472 fëmijë, ndërsa gjatë vitit 2023 – 16,859 fëmijë.
Burimi: Radio Shkupi