GazetaMax
Lajme

EShS do ta ketë vështirë ta kapërcejë problemin e mungesës së kuadrit

Shkup, 21 Janar – Enti Shtetëror i Statistikave do ta ketë të vështirë ta kapërcejë problemin e mungesës së kuadrit, diçka që nga Komisioni Evropian në raportin e vitit 2022 u kërkua të zgjidhet në mënyrë urgjente. KE-ja kërkoi gjithashtu edhe sigurimin e burimeve të mjaftueshme financiare për EShS-në. Nga ky institucion shprehen se në katër vitet e fundit nuk ka pasur as edhe një punësim, kurse ka pasur dalje të madhe të stafit. Në dhjetor të vitit që lam pas, EShS, shpalli konkurs për punësim, i cili pritet të zbusë sadopak këtë problematikë.

“Në lidhje me konkursin, procedura ka përfunduar më 9 janar dhe janë shpallur vendimet për pranimin e 39 kandidatëve (shpallja është paraqitur për 45 punësime të reja, por 6 nuk janë zbatuar për arsye të ndryshme). Për shkak të shtyrjes së procedurës së përzgjedhjes, zbatimi i plotë u zhvendos për në vitin 2023, kështu që aktualisht jemi në pritje të sërishme të pëlqimit financiar nga Ministria e Financave për t’u dhënë zyrtarisht vendimet punonjësve të rinj dhe të fillojnë punën”, thonë për Portalb.mk nga Enti i statistikave.

Në Entin e Statistikave ka ende mungesë të personelit (edhe përkundër këtyre 39 punësimeve të reja), duke pasur parasysh se në 4 vitet e fundit ka pasur një dalje të madhe të kuadrit dhe asnjë punësim të vetëm, thonë nga EShS.

“Plani i Entit është të vazhdojë me procedurat e rregullta për punësime të reja përmes planit të punësimit që e përgatisim çdo vit. Nëse ai plan do të zbatohet apo jo, varet nga institucionet e tjera, jo nga EShS. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të plotësuar nevojat e stafit të ri”, theksojnë nga EShS.

Në aspektin financiar, shtojnë ata, EShS financohet nga Buxheti i RMV-së dhe nga mjetet e ndara për vitin 2023, mund të konstatohet se ato janë të mjaftueshme për nevojat themelore të institucionit – pagat dhe komunalet.

“Nga këtu, sa i përket fondeve për hulumtime statistikore ekzistuese, punësime të reja, zhvillim dhe zbatim të hulumtimeve të reja statistikore – nuk mund të flasim fare për plotësimin e nevojave të Entit”, nënvizojnë në EShS.

Kujtojmë se ashtu si edhe në kapitujt tjerë, edhe në kapitullin 18 që ka të bëjë me statistikat, nuk është vërejtur ndonjë përparim i madh në raportin e Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë e Veriut. Vendi vazhdon të mbetet mesatarisht i përgatitur. KE-ja e sheh si urgjente nevojën e sigurimit të stafit adekuat dhe burimeve të mjaftueshme financiare për Entin shtetëror të statistikave, si dhe që ky institucion në vijim të publikojë tërësisht rezultatet e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua në vitin 2021.

Komisioni nënvizoi se është bërë përparim i mirë, veçanërisht me publikimin e grupit të parë të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në pranverën e vitit 2022. Përmirësime janë vërejtur në të gjitha fushat statistikore dhe në përafrimin e mëtejshëm të statistikave sektoriale me standardet e BE-së, duke përfshirë përdorimin e zgjeruar të burimeve administrative.

Theksohet se nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar shtrirjen dhe cilësinë e të dhënave të statistikave makroekonomike dhe sociale.

Për shkak se vendi rekomandimet e vitit të kaluar nuk i zbatoi plotësisht, në vitin e ardhshëm, duhet në veçanti të:

publikojë të gjitha rezultatet e regjistrimit të popullsisë deri në fund të vitit 2022 dhe të sigurohet që rezultatet e regjistrimit të merren parasysh në vendimmarrje dhe shpërndarjen e burimeve; sigurohet urgjentisht personel adekuat dhe burime të mjaftueshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikave; vazhdojë përafrimi i llogarive financiare dhe llogarive kombëtare tremujore me Sistemin evropian të llogarive 2010 (ESA 2010).
Rregullat e BE-së kërkojnë që Shtetet Anëtare të jenë në gjendje të prodhojnë statistika të cilësisë së mirë në përputhje me parimet e Kodit të praktikës së Statistikave evropiane dhe bazuar në pavarësinë profesionale, paanshmërinë, besueshmërinë, transparencën dhe konfidencialitetin. Janë parashikuar rregulla të përbashkëta për metodologjinë, prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor.

Related posts

Afati i dytë i regjistrimit, ende vende të lira në shkollat e mesme profesionale

Gazetamax.mk

NATO “duhet të bëj më shumë” për të garantuar sigurinë e përbashkët

Gazetamax.mk

Nga 1 dhjetori masë e veçantë për prodhuesit e bukës, vajit dhe produkteve bazë

Gazetamax.mk