GazetaMax
Sport

Etnik Brruti vishet kuqezi, Malisheva: Shqipëria si shpirti, sporti ura që na bashkon

Klubi i Malishevës ka reaguar pasi lojtari i tyre, Etnik Brruti është zgjedhur nga trajneri Sylvinho për të përfaqësuar Shqipërinë, duke e cilësuar si “një arritje e madhe jo vetëm për Etnikun, por edhe për klubin tonë”.

Në reagimin e shpërndarë në mediat sociale, Malisheva e përshkruan kalimin e Brrutit nga Kosova U-21 te Shqipëria A si një mënyrë që lojtari ka zgjedhur për të “treguar se shqiptarët kanë vetëm një atdhe, vetëm një komb”.

Mesfushori i ri ka qenë në qendër të kritikave kohët e fundit pasi vendosi të lërë Kosovën U-21 për Shqipërinë.

Megjithatë, tani Brruti është pjesë e Shqipërisë dhe ai do të përfaqësojë kuqezinjtë në ndeshjet e ardhshme në kuaflifikueset e Kupës së Botës 2026 ndaj Anglisë dhe Andorrës.

“Etnik Brruti i ftuar në Kombëtaren A të Shqipërisë. Me krenari njoftojmë se lojtari jonë, Etnik Brruti, është ftuar nga Kombëtarja A e Shqipërisë për ndeshjet kualifikuese të FIFA World Cup 2026 – European Qualifier”, shkruan Malisheva.

“Kjo është një arritje e madhe jo vetëm për Etnikun, por edhe për klubin tonë”.

“Si kosovar, Etniku ka zgjedhur të mbrojë ngjyrat kuq e zi, duke treguar se ‘shqiptarët kanë vetëm një atdhe, vetëm një komb’”.

“Shqipëria është si shpirti dhe sporti është ura që na bashkon, duke forcuar shpirtin kombëtar dhe krenarinë tonë të përbashkët”.

“Urime, Etnik! Jemi krenarë për ty dhe të urojmë suksese me fanellën Kuq e Zi”, përfundon reagimi i klubit nga Superliga.

Edhe trajneri Sylvinho foli pak më herët gjatë kësaj te shtune, 15 mars, për afrimin e Brrutit në Kombëtaren kuqezi, duke u shprehur se lojtari ishte ndjekur prej kohësh nga stafi i FSHF-së dhe ka karakteristikat që i nevojiten ekipit.

“Ai (Brruti) është një lojtar që ne e kemi ndjekur dhe që ka karakteristika të mira. Është mëngjarash dhe është një lojtar që na mungon”, tha Sylvinho fillimisht.

“E kam shpjeguar edhe më parë, Muçolli ishte një lojtar që i kishte këto karakteristika, por që fatkeqësisht ka disa kohë që është i dëmtuar dhe humbi edhe Evropianin. Është një lojtar shumë i mirë që na pëlqen dhe uroj të rikthehet”.

“E thashë edhe më parë, kemi mbingarkesë në të majtën, në të djathtën kemi më pak, edhe në mesfushë”.

“Brruti është një lojtar me të majtën, që e kemi vlerësuar dhe meriton të vijë te ne dhe jam i bindur se mund të bëjë gjëra të rëndësishme”, theksoi braziliani.

Përsa i përketë polemikave të krijuara, Sylvinho u shpreh: “Në këtë rast është gjithmonë përgjigja e lojtarit nëse ai dëshiron të përfaqësojë Kombëtaren”.

“Profesioni që ne kemi, ka gjithmonë presion. Duhet të jetojmë me presionin. Presioni është i pranishëm, pasi do të luajmë në ‘Wembley’”.

“Shoh intervista trajnerësh që flasin për lojtarë të rëndësishëm dhe thonë që duhet të rriten, luajnë në ‘Camp Nou’, ‘Bernabeu’, ‘Wembley’”. Ne duhet të jetojmë me këtë situatë”.

“Në Kombëtare ai ka mbështetjen tonë, do t’i flasim dhe të gjithë do ta mbështesim për të ecur përpara”, përfundoi Sylvinho për çështjen Brruti.

Related posts

Hoqi tabelën në Konsullatën e Serbisë në Kumanovë, policia arreston 17-vjeçarin

Gazeta Max

Qëllohet me thikë futbollisti i Flamurtarit

Gazeta Max

Xhevat Dibrani zgjidhet nënkryetar i FFM-së

Gazeta Max