GazetaMax
LAJME

Fati i Kushtetutës midis rrugës evropiane dhe kushtëzimeve të partive shqiptare, çfarë thonë politikbërësit?

Shkup, 2 nëntor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot do t’u dërgojë ftesë partive politike parlamentare për takim të liderëve, në të cilën do të diskutohet për të ardhmen evropiane të vendit dhe për vendimet që duhet të merren në periudhën e ardhshme në Kuvend me një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.

Takimi është paraparë të mbahet të hënën, më 7 nëntor, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Mbledhja e thirrur nga kryetari i Qeverisë, siç njofton Shërbimi për shtyp i Qeverisë, organizohet me qëllim të hapjes së diskutimit për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe për vendimet që duhet të merren në të periudhë e ardhshme në Parlament me një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror”, kutoi dje pres-shërbimi qeveritar.

Kryeministri javën e kaluar u bëri thirrje partive politike që të ulen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët, duke theksuar se, sipas tij, është mirë që të diskutohen ndryshimet kushtetuese për të arritur një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjithë.

Më herët nismë për takim me të gjitha partitë politike kanë shprehur edhe partitë opozitare nga blloku shqiptar, të cilët disa herë kanë thënë se do të mbështesin ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nëse formulimi “gjuha e folur nga 20 për qind e qytetarëve” ndërrohet me “Gjuha shqipe”.

Partia politike BESA dje ka njoftuar se do t’u dërgojë ftesë të gjitha partive shqiptare për takim të përbashkët.

Sekretari i përgjithshëm i partisë, Arianit Hoxha, ka deklaruar se në takim do të diskutohet për ndryshimet në amendamentin 5 të Kushtetutës që e kërkon BESA, pra ndryshimin e formulimit “gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve” në “gjuha shqipe”.

Hoxha tha se në takim mund të marrin pjesë edhe ato parti të shqiptarëve që kanë interes dhe të cilave nuk do t’u dërgohet ftesë.

U.d. kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka ripërsëritur se së shpejti do të publikojnë grupin e masave që do të jenë kusht që partia të votojë ndryshimet kushtetuese, por nuk specifikon se kur do të ndodhë saktësisht kjo, pasi siç tha, nuk është urgjente.

“Së shpejti do të publikojmë grupin e masave. Tani jemi duke analizuar se kur duhet ta publikojmë, ndërkohë jemi në konsultim me ekspertë ndërkombëtarë, faktor ndërkombëtar dhe intelektualë. Kur të vijë momenti, kur të shohim se është momenti për ta publikuar, atëherë do ta publikojmë, asgjë urgjente, tha Taravari.

Taravari së fundmi në konferencë për shtyp tha se ASH mund të votojë ndryshimet kushtetuese në Kuvend, nëse miratohen masat që do t’i prezantojnë para ambasadave dhe opinionit. Një nga masat më të rëndësishme, siç theksoi ai, do të jetë futja e gjuhës shqipe në Kushtetutë në vend të formulimit “një gjuhë tjetër që flitet nga 20 për qind e popullsisë”.

Shefi i diplomacisë sBujar Osmani lidhur me këtë kërkesë tha se nuk konsideron se kjo duhet të jetë agjendë etnike shqiptare, duhet të gjitha partitë politike të ulemi dhe t’i shqyrtojmë këto çështje.

“Nuk kam hasur në rezistencë nga VMRO-DPMNE dhe nga LSDM-ja për ndryshimin e “20 përqindëshit”, atëherë pse kjo të shndërrohet në garë ose animozitet midis partive politike të bllokut maqedonas, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke u përqendruar në kërkesën e bllokut shqiptar që të fshihet “gjuha që e flasin mbi 20 për qind” dhe të qëndrojë vetëm gjuha shqipe në Kushtetutë.

Ai, në konferencën për shtyp në Shkup dje pas takimit me nënkryetarin e Qeverisë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kazakistanit, Muhtar Tleuberdi, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me kërkesën e bllokut shqiptar, potencoi se aq sa kanë interes partitë shqiptare, aq kanë edhe partitë politike maqedonase nga ndryshimi i kësaj mënyre të formulimit të “20 përqindëshit”, pasi, siç vlerësoi Osmani, kjo ka çuar në garë demografike në të kaluarën.

“Siç po e mbroj unë gjuhën maqedonase, politikanët e bllokut maqedonas duhet ta mbrojnë gjuhën shqipe në Kushtetutë”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme.

Osmani pyeti se pse kjo pyetje të shndërrohet në agjendë etnike dhe të vihet në kontekst të Bashkimit Evropian. Potencoi se askush nuk guxon ta kushtëzojë integrimin në BE, me çfarëdo marrëveshje apo dakordimi dhe shtoi se interesi i partive politike shqiptare nuk mund të jetë në kundërshtim me eurointegrimet.

“Është gabim kushdo që e kushtëzon rrugën evropiane me çfarëdo kërkese tjetër. Interesimi i partive shqiptare nuk mund të jetë në kundërshtim me interesin e integrimit në BE dhe kjo paraqet gabim strategjik dhe shumë të dëmshëm nëse kushdo do të përpiqej që ta kushtëzojë integrimin evropian me çfarëdo çështje tjetër, qoftë edhe në bazë etnike”, theksoi Osmani.

Ai potencoi se nuk është i mirë mesazhi që do t’ia jepnim Evropës dhe partnerëve ndërkombëtarë me këtë mënyrë të të vepruarit, duke i porositur se integrimi evropian është në kundërshtim me interesat, qofshin etnike, pasi ky është mesazh i gabuar dhe gabim strategjik.

Sipas Osmanit, kjo çështje duhet të jetë reflektim i pjekurisë politike e shoqërisë, gjegjësisht se ka ardhur koha për këto çështje nga viti 2021, në proces normal, me pjekuri politike të bëhet përmirësimi.

Siç raportoi të shtunën TV21, sipas njeriut të parë të BDI-së, Ali Ahmeti, 20 për qind në Kushtetutë nuk e kërcënojnë substancën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se largimi i tyre do të bëhet në momentin e duhur, por pa specifikuar se kur saktësisht.

“Nuk ka problem, kemi biseduar me VMRO-në dhe LSDM-në. Në momentin e duhur, kur kemi 80 mandate me 2/3, sepse është ndryshim i Kushtetutës, ky problem mund të rregullohet. Ju siguroj se 20 për qind nuk ndikon në substancën shqiptare në këtë vend dhe nuk jam i shqetësuar se nuk do të ndodhë nesër. Do të ndodhë në momentin e duhur me marrëveshje sepse maqedonasit nuk humbin asgjë nëse 20 për qind shkruhet si popull shqiptar”, ka thënë Ali Ahmeti.

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, nga ana tjetër, konsideron se nuk ka nevojë të nxitohet në procesin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës sepse kanë mbetur edhe 14 muaj deri në përfundim të procesit të skriningut. Deri atëherë, thotë ai, mund të zbulojmë dhe rregullojmë diçka për sa i përket reformave të nevojshme dhe kur ky proces të jetë drejt fundit, atëherë të shohim nëse ka nevojë për shumicë prej dy të tretash.

Related posts

Varhelyi: Ballkani Perëndimor pjesë e familjes europiane

e-max

Bekteshi nesër në Sofje

e-max

Mungesa e shkollave speciale/ Bëjnë 200 km rrugë për të mësuar në Shkup

e-max