Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, përmes një postimi të bërë nga bulevardi i ri në qytet, ka uruar qytetarët për ditën e Xhumasë, duke përcjellë gjithashtu një mesazh të qartë për punën dhe angazhimin e përditshëm të ekipit të tij komunal.
“Nga bulevardi i ri, me nder e respekt, ju urojmë një Xhuma të begatë e plot mirësi. Ne jemi çdo ditë në shërbim e në krye të detyrës, duke i bërë punët realitet”, shkroi Dehari në rrjete sociale.
Në të njëjtin postim, ai hodhi një thumb politik ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve, duke theksuar se ata që nuk kanë bërë gjë, tani “fotografohen mbi punët” që po realizohen nga ekipi aktual në pushtet.
“Ata që s’kanë bërë gjë, le të fotografohen (s’likaten) mbi punët tona, se ashtu e kanë adet”, shtoi Dehari.
Bulevardi i ri në Kërçovë është një nga projektet më të përfolura të zhvillimit urban në qytet, që, sipas komunës, përfaqëson një hap konkret drejt modernizimit dhe përmirësimit të infrastrukturës.