Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës dhe kandidat i BDI-së për një mandat të ri, ka përcjellë një mesazh të përzemërt për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit, duke vënë në pah rëndësinë e arsimit dhe të ditës së parë të shkollës si moment jetik në formimin e çdo individi.
“Dita e parë e shkollës është një moment i veçantë në jetën e çdo nxënësi dhe familjeje. Ajo shënon hyrjen në botën e dijes, edukimit dhe përgjegjësisë,” – shkruan Dehari në mesazhin e tij.
Ai siguroi se shkollat në Kërçovë janë të gatshme për të mirëpritur nxënësit me përkushtim dhe kujdes maksimal:
“Shkollat tona i presin fëmijët me përkushtim e kujdes, duke u ofruar një mjedis të sigurt, motivues dhe të barabartë për zhvillim.”
Në përmbyllje, Dehari shprehu urimet më të mira për të gjithë nxënësit dhe komunitetin arsimor:
“Le të jetë kjo ditë fillimi i një rrugëtimi të suksesshëm drejt dijes dhe arritjeve të reja. Ju uroj një fillim të mbarë dhe një vit të suksesshëm shkollor!”
Ky mesazh vjen si një dëshmi e vazhdimësisë së përkushtimit institucional dhe personal të Deharit ndaj arsimit si themel i zhvillimit të komunitetit dhe qytetit të Kërçovës.