Sot shënohen 23 vite nga 15 shtatori i vitit 2002, një datë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kjo ditë shënoi pjesëmarrjen për herë të parë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në zgjedhjet parlamentare, nën udhëheqjen e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Ali Ahmeti, menjëherë pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001.
Në këto zgjedhje, BDI mori një mbështetje plebishitare nga populli shqiptar, duke u shndërruar në forcën kryesore politike të shqiptarëve dhe pjesë e qeverisë së vendit. Kjo mbështetje dëshmoi besimin e thellë të shqiptarëve në një subjekt politik që lindi nga rezistenca, sakrifica dhe ideali për barazi.
Me hyrjen në qeveri, BDI hapi rrugën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, dokument historik që shënoi fundin e diskriminimit të sistematizuar ndaj shqiptarëve dhe fillimin e një epoke të re të përfaqësimit të barabartë. Filluan proceset për:
përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe,
integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore,
përfaqësim të drejtë në administratë, arsim, polici dhe ushtri,
si dhe avancimin e të drejtave kolektive dhe individuale.
“15 shtatori është data kur sakrifica u shndërrua në përfaqësim, kur idealet u kthyen në politika konkrete, dhe kur shqiptarët morën vendin që u takon në shoqëri. Është një ditë që na kujton sa kemi arritur dhe sa shumë përgjegjësi mbetet përpara,” u shpreh Faton Ahmeti, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së dhe Shef i Shtabit për Zgjedhjet Lokale.
BDI, si trashëgimtare e vlerave të luftës çlirimtare dhe e Marrëveshjes së Ohrit, vazhdon të jetë faktori kyç në ruajtjen e stabilitetit, përfaqësimit dhe integrimit të shqiptarëve në jetën politike dhe institucionale të vendit.
🕊️ 15 Shtatori mbetet një gur themeli i demokracisë shumetnike dhe i bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut.