GazetaMax
Lajme

Faturat e larta të energjisë, kokë-dhimbje për biznesin

Shkup, 23 Shtator – Nga veprimtaritë më të mëdha e deri tek shitësit më të vegjël, të gjithë po ballafaqohen me çmime marramendëse të faturave të energjisë elektrike. Bizneset po marrin fatura për 60 për qind më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe kjo po e vë në pikëpyetje funksionimin e mëtejshëm të tyre.

Për disa, çmimet janë aq të larta, sa faturat e tyre të muajit gusht duken kështu.

Nëse deri vitin e kaluar kishin paguar maksimalisht 6000 euro në muaj për energji elektrike, në njërin prej hoteleve të Shkupit, në muajin gusht kanë arritur fatura të cilat kalojnë shifrën 50 mijë euro.
Nëse vitrina e një dyqani me abazhurë më herët ishte më i ndritshmi nga vitrinat e tjera, sot duket kështu…

Shitësit thonë se ndalesa e reklamimit të produkteve është një prej masave që kanë marrë, por nëse situata vazhdon kështu, nuk e përjashtojnë mundësinë e mbylljes së biznesit.

“Është një goditje e radhës që na ndodhin një pas një, prej pandemisë që ka filluar dy vjet e më tepër. Kjo domethënë shumë, pikë së pari na shtohen harxhimet, të ardhurat janë më të vogla, biznesi është në rënie në vazhdimësi. Është tepër, ndërsa përqindja është dikun 50-60 për qind, me të gjitha ndalesat që i bëjmë, që mundohemi të jemi më ekonomik, duke i ndal gjysmat e gjërave që harxhojnë energji elektrike. Dritat e fikura shumë më vështirë është se do të shiten…e vetmja gjë që ne mund të bëjmë është t’i zvogëlojmë harxhimet tona deri sa të kemi mundësi, dhe në fund të fundit kur të mbështetemi për muri, nuk kemi nga të ja mbajmë, ose do të pakësojmë punëtorët që I kemi ose ndoshta do të mbyllim ndonjërën prej shitoreve tona”, tha një shitës.

Kriza energjetike nuk ka kursyer as restorantet e qebaptoret.

“Dallimi mes faturave të energjisë elektrike të vjetra dhe të tanishme është i madh. Në faturat e mëhershme kam paguar nga 9 deri në 12 mijë denarë, ndërsa tani një faturë më erdhi 20 mijë, kjo është 8000 denarë më shumë…Nuk e di cili është dallimi, unë bëj të njëjtat shpenzime, ndërsa çmimi shumë i lartë…Planifikojmë edhe pak nëse mund të durojmë, nëse jo do ta mbyllim”, deklaroi një pronar qebaptoreje.

Me situatën e njëjtë ballafaqohen edhe shitësit e dyqaneve, nuk dinë si të kursejnë kur frigoriferët i kanë të domosdoshëm, ndërsa disa prej tyre kanë frikë të shohin faturat.

“Tani me frigoriferët nuk e di si do të jetë, duhet të shkojmë t’i marrim faturat sepse nuk na arrijnë, çfarë të them, kam frikë të shkoj“, tha një tjetër shitës.

Related posts

Pendarovski – Radev: Angazhim për zgjerimin e bashkëpunimit

Gazetamax.mk

A u harrua hyrja e ASH-së në Qeveri? Heshtje nga të dyja anët për procesin e bisedimeve

Gazetamax.mk

Në “Krivollak” takim me gazetarë për stërvitjen e ardhshme “Swift Response 22”

Gazetamax.mk