Fedorov: Ukraina të mbajë zgjedhje edhe në kushte lufte

Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mihailo Fedorov, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë edhe në kushtet e luftës. Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rus, vlerëson Fedrov sipas të cilit Ukraina po lufton pikërisht për të mbetur një shtet i lirë dhe evropian.

“Patjetër ta sigurojmë të drejtën e votës për personelin ushtarak, për miliona ukrainas që jetojnë jashtë vendit dhe për njerëzit në rajonet e frontit. Demokracia nuk është luks në kohë paqe, demokracia është pjesë e asaj për të cilën luftojmë sot, nuk guxojmë të lejojmë që Putini të vendosë kur ukrainasit mund ta zgjedhin qeverinë e tyre. Demokracia e Ukrainës nuk guxon të mvaret nga vullneti i mirë i Kremlinit.”, u shpreh ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mihailo Fedorov.
Fedorov, 35 vjeç, u shkarkua papritur nga posti i ministrit të Mbrojtjes në fund të korrikut, vetëm gjashtë muaj pas emërimit. Shkarkimi i tij shkaktoi protesta në disa qytete të Ukrainës dhe u lidh gjerësisht me tensionet mes tij dhe strukturave të larta ushtarake. Pas largimit nga posti, Fedorov ka refuzuar poste të tjera të ofruara nga qeveria, duke deklaruar se do të rikthehej vetëm në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka dorëzuar në parlament kandidaturën e Evhenij Khmara për postin e ministrit të Mbrojtjes.

Kryeministri britanik i përgjigjet Rusisë: Do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën

Ndërkohë, luftimet dhe sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë. Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë në territorin rus, duke goditur objektiva energjetike dhe infrastrukturore, ndërsa Rusia ka vijuar sulmet ndaj qyteteve ukrainase.
Po ashtu Rusia kërcënon Britaninë pas përdorimit të dronëve britanikë nga Ukraina. Por Kryeministri britanik Endi Barnham ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë “ta mbështesë Ukrainën 100%”.

“Ne nuk jemi miq vetëm kur moti është i mirë, ne do të jemi atje në orën e nevojës së Ukrainës dhe kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë kryeministri britanik.

Nga ana tjetër Ministri gjerman i Mjedisit, Karsten Shnaider, gjatë vizitës së tij në Kiev, u zotua se Gjermania do të ndihmojë Ukrainën për riparimin e dëmeve në strukturën mbrojtëse që mbulon reaktorin nr. 4 të centralit bërthamor të Çernobilit.