Fenerbahçe ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit belg Romelu Lukaku nga Napoli, duke bërë një nga goditjet më të bujshme të afatit kalimtar të kësaj vere.
Klubi nga Stambolli ka arritur marrëveshje me Lukakun për një kontratë 1+1-vjeçare. Sulmuesi 33-vjeçar pritet të mbërrijë në Stamboll në orën 22:00, ku do të zbresë në aeroportin “Sabiha Gökçen”.
Para mbërritjes në Turqi, Lukaku u është drejtuar tifozëve të Fenerbahçes përmes një mesazhi, duke shprehur kënaqësinë për rikthimin në futbollin turk dhe aventurën e re me klubin.
“Është një nder i madh për mua t’i bashkohem klubit tuaj dhe të bëhem pjesë e një skuadre me një histori kaq madhështore. Do të përpiqem ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme, si në stërvitje, ashtu edhe në fushë. Jam 100 për qind gati”, ka thënë Lukaku.
Belgu ka treguar se rikthimi në Turqi është një moment i veçantë për të, ndërsa ka shprehur entuziazmin për të veshur fanellën e Fenerbahçes.
“Po rikthehem në Turqi pas shumë vitesh. Do të jetë një moment shumë emocionues për mua. Jam i lumtur që kjo po ndodh me Fenerbahçen”, është shprehur sulmuesi.
Sipas raportimeve, Fenerbahçe do t’i paguajë Napolit rreth 6 milionë euro për huazimin e Lukakut. Marrëveshja përfshin gjithashtu një opsion prej 2 milionë eurosh për blerjen përfundimtare të sulmuesit.
Afrimi i Lukakut pritet të sjellë konkurrencë të fortë në repartin ofensiv të Fenerbahçes, veçanërisht për sulmuesin kosovar Vedat Muriqi.
Tashmë mbetet të shihet se si do të menaxhojë trajneri i Fenerbahçes repartin e sulmit dhe nëse dyshja Lukaku-Muriqi do të mund të aktivizohet së bashku në formacion.
