Sot, në një atmosferë solemne dhe plot emocion, Feti Abazi ka pranuar zyrtarisht detyrën si Kryetar i Komunës së Bogovinës. Në fjalën e tij të parë pas marrjes së mandatit, Abazi theksoi se ky moment është një rikthim mes njerëzve dhe mjedisit nga i cili vjen, për të vazhduar misionin e shërbimit publik me përulësi dhe nder.
“Komuna e Bogovinës ka qenë vendi ku kam mësuar se shërbimi publik nuk është vetëm një punë e zakonshme, por një mision dhe obligim i përditshëm për të përmirësuar jetën e njerëzve,” deklaroi ai.
Kryetari i ri i Bogovinës theksoi se do të punojë çdo ditë me përkushtim, dashuri dhe vizion për qytetarët, duke u zotuar se do ta çojë përpara komunën me energji të re dhe entuziazëm.
“Ky është premtimi ynë ndaj jush – ta kthejmë komunën në punë. Ju më keni dhënë një besim të madh, dhe askush nuk guxon ta nëpërkëmbë këtë besim, duke filluar nga unë i pari,” shtoi Abazi.
Ai u shpreh i bindur se përpara komunës qëndron një periudhë e re zhvillimi dhe përparimi, e cila do të përballet me shumë sfida, por edhe me mundësi të mëdha për ndryshim.
“Nga sot fillon koha jonë – koha e gjeneratës së re,” përfundoi Feti Abazi, duke u bërë thirrje qytetarëve që bashkërisht t’i kthehen punës për të mirën e komunës së Bogovinës.
https://www.facebook.com/share/p/1Cd3eeVR8q/

