FFK paralajmëron tifozët e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës njofton të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, për ndeshjen Kosovë – Izrael, se për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, ndalohet futja dhe përdorimi i gjësendeve të mëposhtme:

Armë të çdo lloji dhe mjete të mprehta; mjete piroteknike, fishekzjarre, flakadanë dhe mjete eksplozive; pije alkoolike; rreze lazer dhe dronëve; pajisje të zërimit pa autorizim; banderola me përmbajtje politike, raciste apo diskriminuese; çadrat.

“Çdo send tjetër që mund të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve.

Të gjithë tifozët duhet të kenë me vete dokument të vlefshëm identifikimi, i cili do të kërkohet gjatë hyrjes në stadium.

Ju lutemi ta planifikoni ardhjen tuaj sa më herët, pasi, si zakonisht, çdo person do t’i nënshtrohet kontrollit të sigurisë në hyrje. Kjo procedurë është e detyrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Ju njoftojmë se “Prishtina Parking” nuk do të jetë në funksion për këtë ndeshje. Prandaj, ju inkurajojmë të planifikoni paraprakisht parkimin e automjeteve tuaja në zona më të largëta nga stadiumi, për të shmangur trafikun dhe vonesat e mundshme.

Të gjithë së bashku, me disiplinë, respekt dhe përkrahje të zjarrtë për Dardanët”, – thuhet në njoftimin e FFK-së.

Burimi: botasot.info