Përdorimi i telefonit në moshë të hershme, qëndrimi i gjatë para televizorit dhe mungesa e aktivitetit fizik po ndikojnë në posturën dhe posturën e fëmijëve.
Për këtë temë ka folur fizioterapeuti Skifter Ymeri gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.
Duke folur për deformitetet trupore te fëmijët, Ymeri tha se numri i rasteve është në rritje dhe kjo, sipas tij, është shqetësuese.
“Po, edhe kjo është shqetësuese, pasi numri i fëmijëve të prekur me deformitete të trupit vetëm po shkon edhe po rritet çdo vit”, tha ai.
Ymeri tregoi se në klinikë mbahen statistika për këto raste, veçanërisht për skoliozat, ndërsa të dhënat e viteve të fundit tregojnë rritje të vazhdueshme.
“Ne mbajmë statistika. Dafina mban të dhënat dhjetë vitet e fundit, çka merret me skolioza, apo bashkërisht i shikojmë ato dhe çdo vit numri i tyre është duke u rritur”, u shpreh ai.
Sipas tij, kjo rritje nuk vërehet vetëm brenda një klinike, por edhe nga komunikimi me klinika të tjera që merren me raste të ngjashme.
I pyetur nëse këto probleme lidhen me gjenetikën apo me stilin e jetës, fizioterapeuti tha se pjesa gjenetike është shumë më e vogël, ndërsa shumica e rasteve janë të fituara.
“Mund të them një përqindje shumë e vogël është pjesa e anës gjenetike, kurse pjesa më e madhe është e atyre që janë të fituara”, tha ai.
Sipas Ymerit, faktorët kryesorë që po ndikojnë në trupin e fëmijëve janë përdorimi i telefonit në moshë të hershme, qëndrimi para televizorit dhe mungesa e aktivitetit fizik.
“Arsyeja është përdorimi i telefonit në moshën e hershme, qëndrimi para televizorit, mosaktiviteti fizik”, theksoi ai.
Ai tha se ky trend duhet të ndryshojë përmes disiplinës së prindërve, duke shtuar se fëmijët nuk duhet të dërgohen në sport vetëm pasi shfaqet një problem, deformitet apo mbipeshë.
