Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan sot janë pranuar pajisjet dhe aparatura mjekësore që mundësojnë implementimin final të projektit për kujdesin paliativ, një nga shërbimet më të rëndësishme për pacientët në nevojë për përkujdesje të specializuar dhe dinjitoze.
Ky projekt është rezultat i bashkëfinancimit mes Komunës së Deçanit dhe organizatës zvicerane AQH (Avancimi i Cilësisë në Kujdesin Shëndetësor) dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe zgjerimit të shërbimeve shëndetësore në këtë komunë.
Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, u shpreh se përkushtimi për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore mbetet prioritet kryesor:
“Me këtë hap po bëhet e mundur funksionalizimi i një shërbimi të domosdoshëm për pacientët që kanë nevojë për kujdes të specializuar dhe dinjitoz. Si kryetar i komunës, jam i përkushtuar që shëndetësia të mbetet prioritet i yni dhe që çdo qytetar i Deçanit të ketë qasje në shërbime cilësore dhe moderne.”
Ky shërbim do të ofrojë trajtim dhe përkujdesje të vazhdueshme për pacientët me sëmundje kronike dhe terminale, duke lehtësuar dhimbjet dhe përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe të familjarëve të tyre.
Projekti pritet të fillojë së zbatuari në mënyrë të plotë në javët në vijim, duke ofruar një model të ri dhe të avancuar të përkujdesjes shëndetësore në nivel komunal.