GazetaMax
LAJME

Gazetari Robelli kujton veprimtarinë e biznesmenit Vebi Veliaj në Zagreb

Shkup, 19 maj – Gazetari Enver Robelli, që punon redaktor në gazetën “Tagesanzeiger” në Zvicër, gjatë një qëndrimi në Zagreb, ka kujtuar veprimtarinë e biznesmenti Vebi Velija.

Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, Robelli me një nostalgji përshkruan aktivitetin e z. Velija në vitet ’90 dhe kontributin e dhënë për çështjen kombëtare sidomos të Kosovës.

Robelli thotë se “Vebi Velija ishte shumë më tepër se pronar restoranti në Zagreb. Ai i përkiste shtresës së biznesmenëve shqiptarë të Jugosllavisë që pasurinë e tij e shpërndante me zemërgjerësi për të mirën e përgjithshme, por edhe për t’ua mundësuar personaliteteve të ndryshme një jetë me dinjitet”.
Vebi Velija kishte një aktivitet biznesi në Zagreb, pastaj e shtriu atë në rajon ku edhe themeloi TV Alsat.

Më poshtë lexojeni postimin e plotë të gazetarit Enver Robelli:

“Kjo është rruga Jurišićeva në qendër të Zagrebit. Hyrja nën këtë fasadë që duket se e ka hëngër dhëmbi i kohës dhe e kanë dëmtuar pasojat e tërmetit më 2020, sot të shpie te restoranti “Gjirafa” [Žiraffa Mood]. Mediat e Zagrebit nuk kanë fjalë të mira për cilësinë e ushqimit të këtij lokali me kuzhine latinoamerikane. Gazeta “Jutarnji list” me nostalgji kujtonte që në vitin 2008 se këtu, në këtë hyrje që të çon në një bodrum, në fillim të viteve 80-të biznesmeni shqiptar nga Gostivari, Vebi Velija, hapi të parin restorant kinez në Zagreb. Quhej “Phoenix”. Nga mesi i viteve 80-të “Phoenix” u shndërrua në restorant argjentinas. Ishte ndër tre restorantet e para të Zagrebit të specializuar për përgatitjen e mishit [Steakhouse].

Vebi Velija ishte shumë më tepër se pronar restoranti në Zagreb. Ai i përkiste shtresës së biznesmenëve shqiptarë të Jugosllavisë që pasurinë e tij e shpërndante me zemërgjerësi për të mirën e përgjithshme, por edhe për t’ua mundësuar personaliteteve të ndryshme një jetë me dinjitet. Në fillim të viteve 90-të Vebi Velija në qendër të Zagrebit, përballë hotelit Dubrovnik, mori me qira një banesë – që aty të banonte Adem Demaçi, i sapo liruar nga burgu. Në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të në Zagreb vinte për vizitë pothuaj e tërë elita politike e Kosovës. Personalitetet nga Prishtina takoheshin këtu me disidentë kroatë, me politikanë që sapo kishin filluar të merreshin me politikë aktive, me aktivistë për të drejtat e njeriut, me intelektualë që denonconin represionin serb në Kosovë. Vebi Velija ishte në shërbim të tyre, duke hapur zemrën, kuletën dhe kuzhinën e restorantit të tij.

Shuip Ziberi, një inxhinier me prejardhje nga Tetova, i cili prej dekadash jeton e punon në Zagreb, tregon se si pasi ra komunizmi në Shqipëri, për vizitë në Zagreb erdhi një delegacion politikanësh të nivelit të lartë nga Tirana. Ishin të veshur keq. Dhe kjo nuk ishte befasi. Regjimi komunist e kishte shndërruar Shqipërinë në një lloj Koreje Veriore në Mesdhe. Njerëzit ishin të ushqyer keq – dhe hija e mjerimit vërehej jo vetëm në fytyrat e tyre, por edhe në kostumet e tyre ngjyrë hiri që dukeshin si uniforma. Vebi Velija dhe Muzafer Rexhepi, pronar i ëmbëltores së famshme “Zagreb”, ia dorëzuan Shuip Ziberit një qese të mbushur dëng me para dhe i thanë: merre krejt delegacionin e politikanëve nga Shqipëria dhe shko në dyqanin Varteks në Sheshin e Republikës (sot Sheshi Ban Jelačić). Aty politikanët nga Tirana u veshën me rrobe të përshtatshme dhe kështu atyre iu kthye edhe një pjesë e dinjitetit. Sepse rrobat janë pjesë e dinjitetit njerëzor.

Kur autoritetet e Beogradit kërcënonin se do të mbyllnin revistën Koha që në fillim të viteve 90-të nisi të botohej në Prishtinë, Vebi Velija e gjeti zgjidhjen: e regjistroi revistën në emër të tij në Zagreb.

Deri para disa viteve në Sheshin Ban Jelačić valonte flamuri i Republikës së Shqipërisë. Aty gjendej ambasada e Shqipërisë. Ishte një vend reprezentativ të cilin e kishin gjetur pjesëtarët e komunitetit shqiptar të Zagrebit – shqiptarë nga Maqedonia e Kosova. Për këta njerëz të ndershëm ishte me rëndësi që Shqipëria të prezantohet si duhet në qendër të Zagrebit. Që kjo të bëhet e mundshme, komuniteti shqiptar i Zagrebit për disa vite madje e pagoi qiranë e Ambasadës së Shqipërisë në Zagreb. Restorantet shqiptare gostitnin diplomatët nga Shqipëria me zemërgjerësi të pamatshme. Ambasada e Shqipërisë nuk është më në sheshin qendror të Zagrebit, lokacioni i saj është më pak reprezentativ tani. Vebi Velija, themelues i televizionit Alsat, vdiq më 2009 në moshën 61-vjeçare. U varros në fshatin e tij të lindjes, në Gradec afër Gostivarit”, shkruan Enver Robelli, gazetar.

Related posts

Zgjidhen edhe tre kryetar të Forumit rinor të BDI në Tetovë/ Alen Rasimi në nëndegën Brodec, Ilir Salihi në nëndegën Sellcë dhe Bujamin Avdija në nëndegën Drenovec

e-max

Media zvicerane nxjerr detaje tronditëse për 35-vjeçarin që vrau dje gruan e tij nga Kosova

e-max

Nesër protestohet para “Higjienës Komunale”, Mazneva i ka larguar nga puna 112 punëtorë

e-max