Lumi Gjanica, që përshkon qendrën e qytetit të Fierit, prej disa ditësh është kthyer në një burim shqetësimi për qytetarët. Uji ka marrë ngjyrë të zezë, ndërsa aroma e rëndë që përhapet përgjatë shtratit të tij e bën thuajse të papërballueshme qëndrimin në pedonalet e ndërtuara në të dyja anët e lumit.
“Lumi ka disa ditë që është i ndotur. Aroma dhe ngjyra janë shumë shqetësuese. Ne si qytetarë kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme dhe të merren masa që lumi të mos ndotet më. Ne i frekuentojmë këto ambiente dhe në orët e mbrëmjes aroma bëhet edhe më e padurueshme”, ka thënë një qytetar.
Dyshohet se ndër burimet e ndotjes janë shkarkimet e mbetjeve nga fabrikat e përpunimit të hidrokarbureve, por edhe ato të industrisë së përpunimit të ullirit, veçanërisht gjatë sezonit të prodhimit të vajit.
Megjithëse kjo problematikë është ngritur prej vitesh, ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe lumi vijon të përballet me ndotje të përsëritur.
Sakaq, ndërhyrja e institucioneve duket se vjen vetëm pasi ndotja bëhet e dukshme dhe shqetësimi i qytetarëve arrin kulmin.
Pas interesimit të Top Channel, Drejtoria Rajonale e Mjedisit bëri të ditur se janë marrë kampione për të analizuar cilësinë e ujit. Ndërkohë, në terren kanë dalë edhe inspektorët e IKMT-së, të cilët po kryejnë verifikime lidhur me ndotjen.
Burimi:botasot.info
