GazetaMax
Lajme

Gjykimet ndaj Ramiz Merkos po mbarojnë, pritet vendim për disa prej tyre

Pas dy vitesh në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ramiz Merko pritet t’i dëgjojë vendimet e para këtë muaj për disa nga nëntë akuzat me të cilat përballet. Merko do të jetë përsëri në Gjykatë javën e ardhshme për blerjen e veturës luksoze Audi A6 në vlerë prej 67,000 euro dhe tre veturave të tjera me vlerë prej 114,000 euro në kohë kur Komuna e Strugës kishte llogari bankare të bllokuar dhe më pas edhe për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në disa shkolla fillore.

“Jemi në atë fazë të procedurës kur tashmë e kemi përfunduar listën e provave. Tashmë mbrojtja e të akuzuarve, e cila gjithmonë vjen në fund, ka ardhur në atë stad të procedurës kur do ta dëgjojmë edhe personalisht mbrojtjen e tyre”, tha Jordan Jovanov – gjykatës.

Për rastin e blerjes së veturës Audi A6, përbërja e mëparshme e Antikorrupsionit hapi lëndë, ndërsa Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ngriti aktakuzë pesë vite më vonë. Megjithatë, ish-anëtarja e Komisionit kundër korrupsion nuk është e sigurt se kur do të ketë aktgjykim.
“Është e vështirë të komentohet përfundimi i tërë kësaj procedure gjyqësore, aq më tepër që ne si Komision Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kemi dorëzuar lëndë për kryetarin e komunës së Strugës, Merkon, që në vitin 2019, e ende nuk ka epilog. Nëse nisemi nga kjo logjikë, nuk e di vërtet se kur do të mund të presim përfundim në Gjykatë”, tha Biljana Ivanovska – ish-kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

“Është për t’u pritur që të ketë të paktën një aktgjykim të shkallës së parë për një pjesë të këtyre lëndëve, sepse disa prej tyre nuk janë raste të reja që sapo kanë filluar, e as që bëhet fjalë për raste komplekse. Kështu që për disa mund të pritet, megjithatë nuk besoj se do të ketë vendim të plotfuqishëm deri në fund të këtij viti”, u shpreh Darko Avramovski – Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Për më pak se 5 muaj, përfundon mandati i katërt i Merkos si kryetar i Komunës së Strugës.

Related posts

Kryetari i Zubin Potokut: Jemi duke i harmonizuar veprimet me ShBA-të dhe faktorët tjerë

Gazeta Max

Rritet numri i fëmijëve të cilët mjekohen nga infeksionet respiratore në spitalin e Kumanovës

Gazeta Max

Turqia nikoqire e një takimi trepalësh të ministrave të jashtëm me Jordaninë dhe Sirinë

Gazeta Max