Gogu: Në janar nisim ndërtimin e spitalit të ri në Shënkoll, 250 milionë lekë nga buxheti

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri sot të ditur se në janar synohet të nisë ndërtimi i spitalit të ri në Shënkoll, i cili do të shërbejë për personat që, me vendim gjykate, i nënshtrohen mjekimit të detyruar.

Për ndërtimin e këtij spitali janë parashikuar 250 milionë lekë në buxhetin e vitit 2027.

Gogu theksoi se personat që dërgohen për mjekim të detyruar duhet të trajtohen si pacientë dhe jo si të dënuar, duke nënvizuar se ndër vite ata nuk kanë pasur kushtet e duhura për të marrë trajtimin shëndetësor që u nevojitet.

“Një njeri që gjykata e dërgon për mjekim të detyruar është pacient, jo i dënuar. Por a i kemi krijuar kushtet që meriton një pacient? Përgjatë viteve, këta njerëz nuk kanë pasur kushtet e duhura për t’u trajtuar. Ndaj, në janar synojmë të nisim ndërtimin e spitalit të ri në Shënkoll, me 250 milionë lekë të parashikuara në buxhetin e vitit 2027”, u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se ndërtimi i spitalit të ri synon të përmirësojë kushtet e trajtimit dhe të garantojë respektimin e të drejtave themelore të këtyre personave.

“Kujdesi shëndetësor dhe dinjiteti njerëzor janë të drejta që duhet t’i garantohen kujtdo”, përfundoi Gogu.

Burimi:botasot.info