GazetaMax
Ballina

Gratë në biznes, përtej paragjykimeve dhe sfidave

Edhe pse viteve të fundit është rritur numri i grave sipërmarrëse, ato vazhdojnë të përballen ende më sfida të shumta në mjedisin e biznesit.

Për t’u dalë në ndihmë atyre, shpesh ndërmerren iniciativa të ndryshme qoftë nga institucionet shtetërore apo organizatat vendore dhe ndërkombëtare, të cilat përpiqen t’i inkurajojnë dhe mbështesin në synimet e tyre për të nisur një biznes.

Por, pavarësisht mbështetjes, ende ekziston një dallim i madh në mes numrit të bizneseve që drejtohen nga burrat dhe atyre që drejtohen nga gratë në Kosovë.

Këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare. Sipas platformës elektronike “Bizneset e Hapura”, vetëm 11 për qind e bizneseve aktive në Kosovë, ose 23,416 biznese udhëhiqen nga gratë.

Ajo që vërehet në këtë platformë është se aktivitetet biznesore me numrin më të madh që udhëhiqen nga gratë janë; sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë me mbi 3000 biznese, pasuar nga tregtia më pakicë në dyqane jo të specializuara ku mbizotëron ushqimi dhe tregtia me pakicë e veshjeve.

Ndryshe nga këto aktivitete afariste, në Kosovë disa gra kanë filluar biznese edhe në fushën e teknologjisë informative. Një ndër sipërmarrëset e para grua në këtë sektor është Zana Tabaku. Ajo thotë se në kompaninë e saj ka të punësuar 20 persona.

Zana për Radion Evropa e Lirë, tregon se në fillimet e të bërit biznes në vitin 2009, ka pasur paragjykime se një grua mund të udhëheq një biznes të tillë, por me kalimin e kohës, sipas saj, paragjykimet janë eliminuar.

“Disa sfida fillimisht kanë qenë në nivelin institucional. Kur kemi shkuar në takime unë dhe disa kolegë meshkuj, nuk u drejtoheshin nga unë, por nga kolegët meshkuj. Kjo ka qenë pak më sfiduese për mua sa i përket profesionit tim. Por, më vonë edhe meshkujt tjerë u adaptuan se edhe femrat mund të jenë të afta në profesionin e teknologjisë informative”, thotë Zana Tabaku.

Përveç paragjykimeve, problem tjetër i të qenit grua në fushën e të bërit biznes është mungesa e kapitalit.

Mirlinda Kusari- Purrini, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, për Radion Evropa e Lirë, thotë se problem kryesor për fillimin e një biznesi të ri, është mungesa e regjistrimit të pronave në emër të grave.

Mosregjistrimi i pronave në emër të grave, u pamundëson atyre marrjen e kredive në bankat komerciale për rritjen e veprimtarisë së tyre, e madje edhe nëse kanë të drejtë të marrin kredi, normat e interesit janë shumë të larta.

“Për këtë arsye gratë edhe hezitojnë të marrinë kredi, për shkak se nuk janë të sigurta se a mund t’ia dalin që ta mbulojnë kamatën e kredive dhe paralelisht tërrisin veprimtarinë e tyre”, thotë Kusari-Purrini.

Edhe Zana Tabaku, pohon se deri më tani nuk ka fituar ndonjë grant apo subvencion nga institucionet qeveritare apo jo qeveritare. Ajo thotë se për fillimin e biznesit ka gjetur investitorë në diasporë.

“Fatmirësisht, në fillim të themelimit të biznesit nuk kemi pasur nevojë të marrim kredi. Por, më vonë kur kemi pasur kriza jemi drejtuar tek institucionet financiare për kredi, por ka qenë shumë problematike sepse qasja në financa është shumë e vështirë si biznes i ri. Deri më tani nuk kemi marrë as kredi dhe as grant apo subvencione. E kemi filluar me investime nga Anglia (diaspora). Tash kemi arritur një qëndrueshmëri të kompanisë dhe gjenerojmë vetë të ardhura”, tha Tabaku.

Pavarësisht numrit të vogël të grave në biznes në platformën elektronike, “Biznese të Hapura”, në top 10 bizneset sipas vlerës së kapitalit, në rend të parë radhitet një biznes në sektorin e transportit ajror, që drejtohet nga një grua.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë vazhdimisht kanë premtuar fuqizimin e pjesëmarrjes dhe performancës së gruas në biznes./rel/

Related posts

Majdanoz çdo mëngjes për të humbur kilet e tepërta

Gazetamax.mk

Edona Mirakaj një histori suksesi me “Bestfertility” në Gjermani dhe më gjërë

Gazetamax.mk

Hulumtimi i ri nga Yale identifikon shkaqet e kancerit

Gazetamax.mk