GazetaMax
Lajme

Grubi: Marrëveshja e Ohrit avancoi të drejtat e bashkësive, vendosim standarte të barabarta për të gjithë

Prishtinë, 7 nëntor – Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi sot mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor, organizuar në Prishtinë nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në pjesëmarje të përfaqësuesve të lartë nga vendet e rajonit.

Grubi në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarësve, tregoi kronologjinë e zhvillimit të ngjarjeve kundër diskriminimit në Maqedoninë e Veriut, duke krahasuar situatat nga viti 2001 e deri në arritjet e viteve të fundit.

Më tej theksoi se Marrëveshja e Ohrit vendosi standardet e përfaqësimit të drejtë dhe të garantuar institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, teksa shtoi se synimet e brezave të dikurshëm që dukeshin ëndrra, sot po i gëzojnë me të drejta të plota më bashkëkombasit e tyre edhe shqiptarët.

Duke u bazuar në statistika konkrete, foli për përfaqësim të drejtë institucional të shqiptarëve, shkollimin në gjuhën amëtare, hapjen e universiteteve në gjuhën shqipe e poashtu dhe avancimit të dialogut social, raste këto që i shprehi si suksese që mund të u shërbejnë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë:

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti

Të nderuar Ambasadorë, të nderuar ministra, përfaqësues të sektorit civil, të nderuar të pranishëm, Ju faleminderit për ftesën.

Dua t’ju flas për përvojën që e ka kaluar dhe po kalon Maqedonia e Veriut, e cila ka shumëçka që mund t’u ofrojë vendeve tjera si model i bashkëjetesës.

Deri në vitin 2001, diskriminimi etnik ishte kryefjalë e elitës politike të komunitetit shumicë dhe metodë për përfitimin e votave nëpërmjet të ndjelljes së frikës nga tjetri.

Me arritjen e Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese, çdo gjë ndryshoi.

Sot, në Maqedoninë e Veriut mundohemi të vemë standarde për respektimin e të gjitha komuniteteve, me qëllim që të njëjtat të kenë mundësinë e shprehjes dhe kultivimit të identitetit të tyre, siç janë gjuha, arsimi, identiteti dhe kultura, e njëkohësisht, kemi mekanizëm i cili u mundëson edhe qasjen e barabartë në institucione, gjë gjegjësisht, siç e quajmë ne, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si dhe parandalimin e majorizimit nëpërmjet të shumicës së dyfishtë në kuvend por dhe në këshillat komunal.

Avancimi i të drejtave të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut u bë falë Marrëveshjes Kornizë të Ohrit prej nga burojnë parimet dhe baza juridike për të drejtat e garantuara.

Më duhet ta theksoj se parimet e Marrëveshjes së Ohrit kanë karakter universal, kështu, përveç zyrtarizmit të gjuhës shqipe, me këtë Marrëveshje ju është mundësuar komunikimi në gjuhën e tyre amtare edhe komuniteteve, si ai turk, rom, boshnjak e serb në disa komuna, edhe atë si gjuhë zyrtare, përfshirë dhe përdorimin e flamurit kombëtar të komuniteteve.

Gjithashtu, të gjitha komunitetet e kanë të garantuar me kushtetutë të drejtën e mësimit në gjuhën amtare.

Eta blimi i mekanizmave të qëndrueshëm dhe krijimi i mundësive për afirmim të komuniteteve në jetën shoqërore, kulturore dhe politike është i përditshëm.

Njëri nga mekanizmat tek ne quhet “balanser” dhe rregullon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në administratën shtetërore dhe publike dhe me të njëjtin i është dhënë hov punësimit të komuniteteve, gjegjësisht rritjes së përqindjes së tyre në administratë, që më parë ishin shumë larg përqindjes së tyre zyrtare në regjistrimet e mëparshme të popullsisë.

Ky instrument nuk vlen vetëm për maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe për të gjithë të tjerët dhe kjo ka bërë që të vijnë në shprehje edhe vllehtë, romët, turqit, boshnjakët, serbët.

Nëse më parë bashkësitë e vogla etnike pothuajse nuk i kapte fare statistika, tash ata ndihen më afër në të dhënat e fundit statistikore të janarit të vitit 2022.

Nëse krahasojmë me strukturën etnike që doli nga regjistrimi i fundit i popullsisë, do të shihet se te disa bashkësi, përqindja e përfaqësimit është afruar me atë të pjesëmarrjes së tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë.

Për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, Maqedonia e veriut formoi Ministrinë për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive.

Të nderuar,

Angazhimi jonë i vazhdueshëm për të pasur një shoqëri të harmonizuara mes bashkësive etnike dhe ky angazhim ka bërë që t’i zhdukim rastet kur: prindërit ishin të gatshëm që fëmijët e tyre t’i çojnë në shkollë më të largët për shkak se në shkollën më afër ka shumë nxënës romë, kur shkollat ishin të ndara në ndërrimin e parë dhe të dytë në bazë etnike e racore, ose ndërtesa e shkollës ishte e ndarë në dy pjesë.

Ka përfunduar koha kur kishim frikë se komunikimi mes personave nga bashkësi të ndryshme etnike mund të shkaktojë incidente.

E vërtetë e hidhur është se ka pasur dhe ka prindër që kanë protestuar kundër hapjes së paraleleve në një gjuhë tjetër, sepse nuk kanë dashur që fëmijët e tyre të kenë kontakt me nxënës të një etnie tjetër, kur mjekët dhe infermierët e kanë shkelur edhe betimin e Hipokratit duke refuzuar t’ua japin trajtimin e duhur pacienteve rome, kur disa pronarë diskotekash apo lokalesh, t’ua ndalojnë hyrjen pjesëtarëve të kombësisë rome…raste të rralla, por që kanë ndodhur dhe gjithë i dimë.

Them shpesh se lojaliteti i qytetarit ndaj shtetit varet nga lojaliteti i shtetit ndaj qytetarit.

Sa me lojal shteti ndaj qytetarit, aq me lojal është qytetari ndaj shtetit.

Legjislatura në njërën anë, si bazë e eliminimit të diskriminimit në baza etnike, racore, fetare, gjuhësore etj, duhet të përcillet me procesin e vështirë të çlirimit të çdo njeriu nga paragjykimet që ka për të tjerët.

Related posts

“Certifikata e martesës” në Durrës, komedia premierë elektrizoi publikun

Gazetamax.mk

Në Toksikologji janë pranuar 22 pacientë të dehur

Gazetamax.mk

Putin e Macron flasin në telefon

Gazetamax.mk