GazetaMax
BALLINA

Grubi porosi BE-së: Fjalëkalimi për integrimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë është Ukraina

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot në Tiranë po ndjek punimet e Kongresit të Partisë Socialiste, duke qenë kështu panelist në pjesën ku është disktuuar mbi temën “Rajoni, Europa, Siguria”.

Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euroamerikane të rajonit tonë, me qasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë, është shprehur mes tjerave Grubi në fjalimin e tij.

Në vazhdim fjalimi integral:

Të nderuar nikoqirë,

E nderuar ministre znj. Xhaçka,

I respektuar ministër z. Peleshi,

Panelist, mysafirë,

Ju falënderoj shumë për ftesën dhe mundësinë që të bëhem pjesë e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste këtu në Tiranë dhe ju sjell të fala vëllazërore nga Kryetari im, Ali Ahmeti, me uratat më të sinqerta për Kongres të mbarë dhe punime të suksesshme.

Gëzohem që na mblodhët në Tiranë gjithë neve, nga Shkupi, Prishtina, Presheva, Mali i Zi, rajoni dhe Europa.

Padyshim se politika e jashtme, marrëdhëniet me Europën, siguria dhe raportet e ndërsjella të vendeve të Europës juglindore, janë tema akute për të cilat me ndodhitë e fundit në Europën Lindore duhet shumëfishuar aktivitetet dhe trajtuar këto çështje më syçelë se kurdoherë.

Bashkëpunimi më i intensifikuar në mes forcave tona politike përbrenda Ballkanit Perëndimor, synim të vetëm e ka eliminimin e disonancave rreth qëllimit të pakontestueshëm dhe të rrugës ose rrugëve që do të na çojnë drejt qëllimit të përbashkët, integrimit në BE dhe NATO.

Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euro-amerikane të rajonit tonë, me çasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë.

Në çdo projekt të bashkëpunimit rajonal, njëri nga ne, është së paku vet i treti, e në raste edhe vet i katërti dhe rrjedhimisht asnjë vendim për tërësinë e rajonit dhe gjashtëshen e Ballkanit perëndimor nuk merret dot pa pajtueshmërinë tonë andaj dhe nuk duhet t’i druhemi iniciativave dialoguese dhe bashkëpunuese.

Është e qartë se secili nga vendet tona ka dhe veçoritë e veta, por në këtë kontekst do të kisha nënvizuar se koordinimi institucional dhe kombëtar ose këshillimet permanente si ky i sotmi janë më se të domosdoshme, para se të shtrohen qëndrimet tona para institucioneve të BE-së ose edhe subjekteve tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, për ne, integrimi europian është e vetmja alternativë.

Alternativë tjetër nuk ka as Bashkimi Europian, përveç se ta integrojë rajonin urgjentisht.

Perspektiva e qartë për anëtarësimin në BE është e domosdoshme për stabilitetin e rajonit tonë prandaj zgjerimi duhet të realizohet tash, menjëherë, pa asnjë vonesë dhe pa asnjë hamendje.

Sa më shumë largohet Brukseli, aq më shumë afrohet Moska.

Sa më pak kemi Europë në Ballkan, aq më shumë krijohet fushëveprim për Rusinë.

Ukraina nuk është larg dhe pasojat po i ndjejmë që të gjithë.

Solidarizimi sot me Ukrainën nënkupton padyshim edhe integrim pa asnjë vonesë të vetme të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, bashkë, të pandarë siç thotë dhe kjo motoja e juaj e kongresit sot.

Me që konfliktet e Ballkanit nuk ishin sinjale të mjaftueshme për nevojën e integrimit europian të rajonit, atëherë Ukraina është zile alarmi për të gjitha vonesat dhe mungesën e konsolidimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.

Të nderuar,

Në vitin 2008 në Bukuresht, kontesti bilateral me Greqinë na ndau nga rrugëtimi jonë i përbashkët me Shqipërinë dhe Kroacinë drejt NATO-së.

Kjo derë e mbyllur dhe mungesë perspektive, na shpiu drejt togfjalëshit “shtet i kapur” dhe një krizë të pashembullt.

Bëmë sakrifica si asnjë vend tjetër për tu bërë pjesë e NATO-s, edhe pse me 11 vite vonesë, por ia vleu.

Sot, në shekullin 21, një tjetër kontest absurd i shekullit 18, po na mban derën e Brukselit të përplasur në fytyrë.

Po ndodhin Mariupoli, Bucha, Lugansku, Kievi, Donjetsk, lufta, kriza shëndetësore, ekonomike, ushtarake, çmime marramendëse dhe pasiguri gjithandej, e ne, në vitin 2022 ne duhet të zgjedhim se kush çfarë ka qene dhe në çfarë gjuhe ka folur deri në vitin 1945.

E shoh që Bashkimi Europian në fakt edhe ka humbur fjalëkalimin/passëordin për zbërthimin e lëmshit dhe nuk po e gjen dot sepse dikush e ka ndryshuar dhe në 50 ditët e fundit e këtej, e ky fjalëkalim është sot Ukraina, me U të madhe.

Të dashur drejtues dhe të pranishëm, vëmendja juaj më nderoi.

Ju faleminderit.

https://fb.watch/ch1fmH8dOm/

Related posts

Ahmeti: BDI që 22 vite nuk njeh humbje, Bujar Osmani e kemi super ligë të super ligave

e-max

Fronti Europian në Zhelinë/ Sulejmani: Do të jemi fitues absolut, në vazhdimësi bisedojmë se cila do të jetë diferenca, e jo fitorja, sepse fitorja është e padiskutueshme

e-max

Kërcënimet e VMRO për konflikte/ Atanasoski: Luftërat në Ballkan janë pjesë e së kaluarës

e-max