Gzim Selmani triumfon në Glasgow, McGregor e përgëzon pas fitores në BKFC

Gzim Selmani po vazhdon të shkëlqejë në boksin pa doreza (Bare Knuckle Fighting).

Boksieri shqiptar, i njohur me nofkën “The Albanian Psycho”, ka regjistruar fitoren e dytë pasi mposhti Reece Heerin në eventin BKFC 96, të mbajtur në Glasgow të Skocisë.

Selmani luftoi furishëm dhe triumfoi me vendim unanim të gjyqtarëve, të cilët të tre e vlerësuan me rezultat 50-43.

Ai e rrëzoi kundërshtarin dy herë gjatë përballjes, duke e dominuar duelin dhe duke ruajtur rekordin e pastër në këtë organizatë.

Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendjen e mori edhe një moment i veçantë: Conor McGregor shkoi për ta përshëndetur dhe përgëzuar Selmanin.

Irlandezi është bashkëpronar i BKFC-së dhe ka qenë një nga figurat më të rëndësishme në promovimin e kësaj organizate.

McGregor ka treguar interesim për rrugëtimin e shqiptarit që nga debutimi i tij në mars, kur Selmani e mposhti Daniel Curtinin me nokaut teknik në raundin e dytë, pasi e rrëzoi kundërshtarin katër herë.

Prania dhe përgëzimi i tij pas fitores në Glasgow janë një tjetër shenjë e vlerësimit që Selmani po merr brenda organizatës.

Në deklaratat e tij pas BKFC 96, McGregor foli me entuziazëm për mbrëmjen në Glasgow: “Çfarë mbrëmjeje! Nuk jam i befasuar. Si McGregor, e di çfarë do të thotë të jesh në këtë vend. Nuk do ta humbisja për asgjë mundësinë për të qenë në tokën skoceze”.

Edhe pse kjo deklaratë ishte për atmosferën e eventit dhe jo drejtpërdrejt për Selmanin, momenti i përshëndetjes mes tyre pas duelit u bë një nga pamjet që tërhoqi vëmendje.

Rrugëtimi i Selmanit në sportet luftarake është i veçantë. Para se të kalonte në BKFC, ai u bë i njohur në WWE me emrin Rezar, si pjesë e ekipit “Authors of Pain”, me të cilin fitoi tituj ekiporë në NXT dhe WWE.

Ai ka pasur edhe karrierë në MMA, ku regjistroi katër fitore dhe dy humbje.

Tashmë, me rekord prej 2-0 në BKFC, Selmani po ndërton një kapitull të ri në karrierë. Mund të ceket se Gzimit është duke iu përshtatur ky stil i boksit dhe pritet të ketë një karrier mbresëlënëse.

Burimi: botasot.info