Haradinaj nderon dëshmorët e Gllogjanit e Hereqit, sakrifica e tyre është themeli i lirisë

Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot dëshmorët e kombit Sokol Sejfijaj, Din Alijaj, Muhamet Zenunaj dhe Asllan Rexhepaj, të rënë më 10 gusht 1998 në Gllogjan e Hereq.

Haradinaj, përmes një postimi, tha se gushti i vitit 1998 ishte një periudhë e luftimeve të ashpra me forcat serbe, ku humbën jetën edhe disa prej bashkëluftëtarëve më të zotë.

Postimi i plotë:

U bashkuam sot në Gllogjan e Hereq në nderim të dëshmorëve të kombit Sokol Sejfijaj, Din Alijaj, Muhamet Zenunaj dhe Asllan Rexhepaj, të rënë më 10 gusht 1998 në altarin e lirisë.

Gushti i vitit 1998 ishte periudhë e luftimeve të ashpra me ushtrinë gjenocidale serbe. Humbëm disa nga bashkëluftëtarët më të zotë, por nuk u thyem. Vazhduam luftën deri në çlirimin e Atdheut.

Derisa nderojmë dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, kujtojmë se sa e shtrenjtë është liria që e gëzojmë sot. Ishte lufta jonë çlirimtare që na solli Aleancën me NATO-n e udhëhequr nga Amerika. Falë sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe brezave që kontribuuan ndër vite për Atdheun sot ne gëzojmë shtetin e pavarur.

I përjetshëm kujtimi për dëshmorët dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!