Nga drita e diturisë në terrin e harresës – rrëfimi për burrin që e ringjalli Brodecin, sot të mbetur në analfabetizëm
nga Sadbere Emshiu, Hamburg
—
I. Dy burrat dhe një televizor
Në një fotografi bardh e zi të vitit 1975, e bërë në dhomën e ndjenjës në Tetovë, shfaqen dy burra me plis të bardhë: gjyshi im nga babai – Haxhi Sehadini – dhe gjyshi nga nëna – Haxhi Musa. Në sfond qëndron një televizor i sapoardhur nga Hamburgu. Kjo pamje familjare është më shumë se një kujtim – ajo simbolizon takimin e dy botëve: një botë e heshtur, e lidhur me dheun, ciklin e natyrës dhe urtësinë e thjeshtë, dhe një botë tjetër që ndriçohet nga drita e dijes, shkronjës dhe ndryshimit.
Haxhi Musa nuk njihte as numrin e as shkronjën, por e dinte vaktin si me sahat. Ishte njeri i tokës, i ditur në mënyrë të heshtur dhe të thellë. Haxhi Sehadini, nga ana tjetër, ishte njeri i fjalës së dhënë, i veprimit dhe i diturisë. Të ndryshëm në shumë aspekte, por të lidhur thellë nga ndershmëria, burrëria dhe respekti i ndërsjellë, si dhe krushqnia që kishin. Dy bijat e Haxhi Musës ishin të martuara me bijtë e Haxhi Sehadinit, dhe bija e Haxhi Sehadinit për birin e Haxhi Musës – një krushqi që mbarë edhe rreziqe mbajti në supet e saj, si në shumë familje të malësisë së asaj kohe. Po këto dy krushq kujdeseshin për mirëmbajtjen e miqësisë së dyfishtë, të thellë dhe të fortë.
II. Fëmijëri nën hijen e Perandorisë Osmane
Haxhi Sehadini lindi në vitin 1890 (?) ose 1898, në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane që kishte mbetur aty e këtu në Ballkan, dhe mbeti jetim që në moshë të vogël. Fati e solli në një familje të shquar të Sherifëve me administratë, në zemër të Tetovës, përballë xhamisë së Pashës. Aty mori edukimin e parë, mësimet në gjuhë të huaja dhe një kulturë të thellë respekti për dijen dhe moralin.
Kur u thirr për shërbimin ushtarak, ishte i shkrimit e i leximit, kështu që ndër të tjerët mori si ushtar një trajnim të mirë dhe shërbeu me përkushtim për më shumë se dy vjet, në orkestrin e bazës ushtarake. Para se të shpërthente Lufta e Parë Botërore, ai ishte formuar si një figurë e veçantë e diturisë dhe karakterit në vendin e tij.
III. Ringjallja e Brodecit
Kur u kthye në fshatin e lindjes – Brodec, gjyshi im solli me vete jo vetëm dije, por edhe një vizion të qartë për të ardhmen. Ai ndërtoi shtëpi të reja, krijoi familje të forta, bleu tokë dhe bagëti, dhe mbi të gjitha – u bë mësuesi dhe kujdestari i komunitetit të mbarë katundit.
Ai kujdesej me përkushtim që shkolla të funksiononte mirë, shkruante kërkesa për hapjen e rrugëve që lidhnin Brodecin me fshatrat fqinj dhe Tetovën, sepse Brodeci ndodhej në kodra ku vetëm kali dhe gomari mund të ngjiteshin. Në fshat nuk kishte energji elektrike, por falë përpjekjeve të tij dhe familjes, birit të tij Xhevarit, u soll energjia elektrike – një hap i rëndësishëm për jetën e përditshme. Ai u përkujdes që uji i Sharrit të mbërrinte në çdo shtëpi, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës.
I përkushtuar dhe praktik, ai rrafshonte tokat, hapte shtigjet dhe ktheu gurishtet në ara pjellore. Me zemër dhe zell, ai ringjalli fshatin, duke i dhënë jetë dhe shpresë një vendi që rrezikonte të binte në harresë.
IV. Mësuesi i gjithë fshatit
Në Brodec, Haxhibaba Sehadin nuk ishte drejtë për së drejti mësues në shkollën e vogël me dritare të pakta. Ai kishte një dimension tjetër: ishte mësues i gjithë katundit.
Ai sillte mësuesit për shkollën e fshatit, bënte regjistrimet e nxënësve dhe edhe të lindjes së çdo fëmije të fshatit. Për të, mësuesi nuk qëndronte në objektin e kështjellës së vogël të shkollës, por e kishte gjithë katundin në dorë – që nga foshnja deri në pleqni, në çdo skutë të katundit.
I afërt me çdo familje, ai ishte ai që i njihte të gjithë dhe kujdesej për të gjithë. Një njeri që e jetonte arsimimin dhe përparimin si mision personal dhe komunitar.
V. Brodeci pa Haxhibabën Sehadin
Në vitet 1971–72, familja jonë u shpërngul në Tetovë. Që nga ajo kohë, Brodeci mbeti pa shpirtin e tij. Infrastruktura, ajo e paktë, u shkatërrua; rrugët u harruan, kërkesat për të mirën e fshatit pushtuan heshtjen dhe mbrojtja e të drejtave të tij u zbeh. Edhe pse janë ndërtuar disa shtëpi të reja, fryma e zhvillimit u shua.
Aty ku dikur dëgjohej zëri i burrit që i përkushtohej komunitetit, sot ndjehet vetëm jehona e një kujtese të largët. Fshati, i shkëputur nga rrjeti i përparimit, ka mbetur në analfabetizëm pothuajse total – si një ironi tragjike e historisë së vet.
VI. Rrënjë që mbajnë epokë
Haxhibaba Sehadin lexonte gazeta, vishej me shije dhe ndërtonte ura komunikimi ndërfetare e ndëretnike dhe kulturore. Ai ishte i pari që përkujdesjej për pajtimin e familjeve në hasmëri dhe regjistrimin e çdo ngjarjeje që i përkiste komunitetit.
Ai i donte njerëzit dhe i respektonte traditat, por njëkohësisht besonte në shkencë dhe përparim. Ishte një njeri përpara kohës – një pionier i së mirës që vazhdoi të ndriçojë rrugën për brezat e ardhshëm.
VII. Kapitulli që nuk mbyllet
Në atë dhomë të thjeshtë ndjenjash ku u bë fotografia e famshme, vazhdon të jetë i gjallë fryma e Haxhibabës Sehadin.
Ai nuk ishte vetëm një burrë i kohës së vet, por një dritë e pashuar që udhëhoqi brezat e ardhshëm – një simbol i përkushtimit ndaj familjes, fshatit dhe të ardhmes. Trashëgimia e tij nuk qëndron vetëm në tokën e punuar, rrugët e hapura apo ujin që shkon në çdo shtëpi, por në zemrën e komunitetit që ai ringjalli – të fortë, të bashkuar dhe plot shpresë, edhe pse për një kohë të shkurtër.
Sepse çdo vend, sado modest, mban brenda vetes një botë njerëzish që me dashuri, punë dhe zemër e bëjnë atë të gjallë. Dhe kjo është ajo që Haxhi Sehadini na mësoi: se vendi nuk është vetëm tokë, por frymë e përbashkët.
—
—
📷 Fotoja e vitit 1975 e përmendur në artikull i bashkëngjitet tekstit për botimin e plotë.
🖋️ Përgatiti për botim: Sadbere Emshiu
Teksti anësor i autores :
Kujtesë personale nga autorja, mbesa e Haxhi Sehadinit
Pata fatin e rrallë dhe luksin e pashoq të rritem nën hijen e dijes dhe urtësisë së gjyshit tim. Ai ishte për mua një libër i gjallë, një mësues që më mësonte pa libra. Prej tij mësova historinë e Perandorisë Osmane në vendin tonë, krisjen e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, formimin e Jugosllavisë së pasluftës dhe përbërjen artificiale të asaj që u quajt Republika Federative e Maqedonisë.
Sipas rrëfimeve të tij, Maqedonia e pasluftës ishte një “copë e qepur” për të mbyllur një zgjidhje politike të sforcuar, jo një ndërtim i natyrshëm historik.
Të mësosh historinë drejtëpërdrejt nga një njeri që e kishte përjetuar me sy dhe me zemër – kjo është një trashëgimi që nuk e ndërron me asnjë diplomë.