Publicisti Baton Haxhiu beson se ekzistojnë mundësitë teorike që Vetëvendosje të arrijë synimin e saj: të prolongojë procesin e formimit të institucioneve dhe të çojë vendin në zgjedhje të reja në vjeshtë.
Haxhiu, në një analizë në emisionin Pressing të T7, tha se skenari i Vetëvendosjes ka qëllim përfundimtar dërgimin e vendit në zgjedhje të reja bashkë me zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen gjatë muajve të vjeshtës së këtij viti.
Ky kalkulim i LVV-së, sipas Haxhiut, mund të prodhohet vetëm në rast se Vetëvendosje arrin të fitojë në Gjykatën Supreme rastin e kontestit të paralajmëruar për votat nga jashtë. LVV-ja ka paralajmëruar këtë javë se do ta ankimojë procesin.
“Në PZAP do ta bëjnë dhe pastaj në PZAP u duhet së paku një javë, 10 ditë për të marrë një vendim për atë. Pastaj shkon në Gjykatën Supreme. Nëse ky proces kthehet pozitivisht se duhet të rivotohet, atëherë së paku i kemi edhe një muaj e gjysmë deri në dy muaj që të shpallen zgjedhjet për votat e diasporës.. do të shpallen listat, do të votohet edhe njëherë dhe natyrisht kjo është natyra për të zgjatur procesin”, tha Haxhiu.
“Plus mos të harrojmë, individualisht, deputetët mund të ankohen nëse kanë fakte – edhe kjo mund ta shtyjë procesin me muaj”, vazhdoi Haxhiu analizën e tij.
Sipas Haxhiut, skenari mund të përmbyllet me një dekret të presidentes pas një bllokade disa mujore në përpjekjen për formimin e institucioneve.
“Prej certifikimit, duhet edhe 30 ditë dhe pastaj i jepet kohë për konstituim të parlamentit dhe pastaj i jepet edhe 30 ditë kohë mandatarit për kryeministër për të bërë qeverinë – dhe pastaj kur të kryhet ky certifikim krejt, atëherë shkon te presidentja. Çka bën presidentja? Presidentja pastaj e merr një vendim nëse duhet zgjedhjet lokale dhe parlamentare të jenë në të njëjtën kohë”, u shpreh Haxhiu. “Dhe presidentja, edhe për arsye ekonomike e politike, mund ta sjell një vendim”.