“Honey Honey” dhe më shumë se kaq, në një bisedë të ëmbël me Bianca Junzell
Ajo nuk ka nevojë për hyrje të gjatë, sepse mjafton një klikim dhe zëri i saj bëhet pjesë e ditës tënde. Bianca Junzell, këngëtarja shqiptare me karrierë ndërkombëtare, është rikthyer me një projekt të ri që po tund ritmet e verës më herët se parashikohej. “Honey Honey” është titulli i këngës më të re, por edhe ndjesia që të lë: një përzierje e ëmbël mes energjisë pop dhe aromës së suksesit global.
Në një kohë kur shumica e artistëve përpiqen të gjejnë “recetën magjike”, Bianca ka gatuar vetë çdo përbërës të kësaj kënge, nga teksti te melodia dhe për ta çuar në një tjetër nivel, ka bashkëpunuar me producentin e njohur suedez Peter Bergström. E publikuar nga YouTube by Virgin Music (nën krahët e Universal Music), “Honey Honey” nuk është vetëm një këngë – është një deklaratë artistike.
Në një intervistë ekskluzive për ne, Bianca na rrëfen më shumë rreth prapaskenave të këtij projekti, frymëzimit që e udhëheq, planeve të saj të ardhshme dhe, po, edhe disa të vërteta të vogla që mund të mos i keni dëgjuar më parë si për shembull: kush e ndihmon të zgjedhë titujt e këngëve, dhe çfarë dëgjon ajo kur nuk dëgjon… veten.
Si lindi “Honey Honey”? Çfarë të frymëzoi për këtë projekt?
Bianca: “Ishte një ndjesi e menjëhershme, një kombinim i ëmbëlsisë dhe fuqisë.
Doja të sillja një këngë që e bën trupin të lëvizë dhe zemrën të buzëqeshë. Frymëzimi? Dashuria!
Ke shkruar vetë tekstin dhe ke kompozuar muzikën. Është diçka që vjen natyrshëm apo ke një ritual tëndin krijues?
Bianca: Shpesh më ndodh që një frazë më vjen ndërsa pastroj kuzhinën. Po, ndodh dhe kështu! (qesh) Por kur ulem për të shkruar, mundohem të jem e sinqertë dhe spontane. Nëse nuk më emocionon mua e para, nuk e nxjerr dot për publikun.
Bashkëpunimi me Peter Bergström është një hap i madh. Si është të punosh me të?
Bianca: Peter është si një alkimist i muzikës. Ka një ndjeshmëri të jashtëzakonshme për ritmin dhe melodinë. Ndonjëherë mjafton vetëm një shikim që ai ta kuptojë çfarë dua të them muzikalisht.
Kënga u publikua nga një kompani nën ombrellën e Universal Music. Sa rëndësi ka kjo për një artiste me ambicie ndërkombëtare?
Bianca: Është një përkrahje e madhe, sigurisht. Por unë besoj se ajo që mbetet më e rëndësishmja është autenticiteti. Nuk dua të tingëlloj si të gjithë. Dua që njerëzit të thonë ‘Po, kjo është Bianca, që në sekondën e parë.
A do të kemi projekte të reja në gjuhën shqipe apo për tregun shqiptar?
Bianca: Po, patjetër! Më mungon shumë gjuha ime dhe është koha ta ndaj zërin tim edhe me publikun shqiptar më shpesh. Po përgatis diçka të veçantë, shpresoj ta pëlqeni!
Në një botë kaq dinamike, ku ndodh që një trend zgjat vetëm 15 sekonda në TikTok, si ruan ti identitetin tënd si artiste?
Bianca: Duke mos u përpjekur të jem gjithmonë ‘në trend’. Dua të jem unike, edhe nëse kjo do të thotë që ndonjëherë ec më ngadalë. Më mirë origjinale dhe me zemër, sesa perfekte dhe e zbrazët.
Bianca Junzell është një emër që duhet ta mbani mend sepse jo vetëm që po dëgjohet gjithnjë e më shumë, por po dëgjohet me stil, përmbajtje dhe pa asnjë kompromis.
Dëgjo “Honey Honey” në të gjitha platformat. Ndiq Biancën në rrjete sociale për më shumë ritëm, emocion dhe surpriza!