Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, sot hapi tryezën e rrumbullakët me temë “Nga politika në praktikë: Prioritetet mjedisore në kuadër të programit LIFE”, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është ndër vendet e para në rajon që i është bashkuar këtij instrumenti kyç evropian.
Ai nënvizoi se programi LIFE paraqet një mundësi të rëndësishme për zbatimin konkret të politikave mjedisore, duke i kthyer strategjitë në projekte të prekshme që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së mjedisit.
Sipas Hoxhës, përmes këtij programi synohet forcimi i kapaciteteve institucionale, avancimi i standardeve evropiane dhe përshpejtimi i reformave në sektorin e mjedisit.
Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe ekspertëve, të cilët diskutuan mbi prioritetet kryesore dhe hapat konkretë për zbatimin e projekteve në kuadër të programit LIFE.
