GazetaMax
LAJME

Hulumtim: Mjediset rurale me mungesë të gjinekologëve dhe pediatërve, më së shumti vuajnë romët

Shkup, 13 dhjetor – Në mjediset rurale nuk ka ordinanca me gjinekolog amë, apo me pediatër amë, ndërsa mjekë amë ka vetëm në fshatrat e mëdha. Gratë dhe fëmijët duhet të udhëtojnë me kilometra për të vizituar mjekun amë në kushtet e infrastrukturës së keqe rrugore dhe mungesës së transportit të rregullt publik, ndërsa vetëm pak më shumë se gjysma e grave rome kanë zgjedhur një gjinekolog amë, kryesisht për shkak se nuk kanë gjinekolog familjar në komunën e tyre, si dhe për shkak të arkëtimit të shërbimeve nga gjinekologët amë, tregon hulumtimi nga anketa e Shoqatës ESE, e realizuar në bashkësitë rurale dhe mjediset rome në periudhën shtator-nëntor të vitit 2022.

Koordinatori i projektit, Borjan Pavllovski, tha se përveç kësaj, në mjediset rurale mungon edukimi adekuat shëndetësor lidhur me këto tema.

“Për këtë arsye, 32 për qind e grave nga mjediset rurale nuk e vizitojnë gjinekologun, madje as kur kanë nevojë për këtë, derisa 20.3 për qind e grave nuk mund të përballojnë financiarisht kontrollet gjinekologjike. Kjo ka të bëjë edhe me dukurinë që disa gjinekologë amë të arkëtojnë për shërbimet shëndetësore që duhet të jenë falas për gratë, në përputhje me rregullativën së Fondit për shëndetësi, theksoi Pavllovski.

Sipas hulumtimit, gratë nga mjediset rurale në përqindje shumë të vogël përfshihen nga Programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës, respektivisht në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2021, vetëm 26 për qind e tyre kanë qenë të përfshirë me këtë Program.

Në hulumtimin bëhet e ditur se gratë nga mjediset rurale dhe rome nuk janë të njoftuara me risitë për caktimin e ekzaminimit me Pap test përmes ueb-faqes skrining.mk, ndërsa mbi 60 për qind e grave nga mjediset rurale nuk kanë mundësi përkatëse për të caktuar kontroll përmes një platformës digjitale skrining.mk .

Vetëm 12 për qind e grave rurale ishin të përfshira nga Programi i skriningut të kancerit të gjirit nga viti 2015 deri më sot. Barriera vërehen edhe në qasjen në mbrojtjen shëndetësore gjatë shtatzënisë, kështu që 8 për qind e këtyre grave e kalojnë shtatzëninë pa asnjë kontroll shëndetësor, ndërsa 25 për qind nuk kanë bërë kontrollin EHO gjatë shtatzënisë. Vetëm 35 për qind e grave vizitohen nga infermieret e patronazhit gjatë shtatzënisë.

Në raport me mjediset rome, sipas hulumtimit, gratë dhe fëmijët po ashtu ballafaqohen me barriera për faktin se nuk ka numër të mjaftueshëm të personelit shëndetësor në afërsi të bashkësive të tyre, si dhe varfërisë në të cilën jetojnë, e njëherësh mungon edhe edukimi shëndetësor për këto tema.

“Vetëm pak më shumë se gjysma e grave rome kanë zgjedhur gjinekolog amë, para së gjithash për shkak se nuk kanë gjinekolog familjar në komunën e tyre, si dhe për shkak të arkëtimit të shërbimeve nga gjinekologët amë. Shërbimet duhet të jenë falas sipas rregullativës së Fondit. Varfëria në të cilën jeton një pjesë e madhe e popullatës rome ua pamundëson pagesën për këto shërbime, ndërsa këto arkëtime janë edhe të paligjshme”, theksoi Pavllovski.

Sipas tij, arkëtimi nga gjinekologët amë paraqet barrierë serioze në qasjen e grupeve të rrezikuara të grave, sepse sipas deklaratës së një gruaje që e transmetoi, gjinekologu një herë më ka arkëtuar 200 denarë, një herë 500, një herë 1500 denarë.

“Nuk kam të ardhura të larta, si të shkoj te gjinekologu kur nuk e di sa do të më arkëtojë dhe a do të kem para për të paguar, deklaroi një rome nga Shuto Orizara”, tha ai.

Për këto arsye, 35 për qind e grave rome nuk shkojnë për kontroll gjinekologjik madje edhe kur kanë nevojë, derisa 40 prej tyre nuk mund t’i përballojnë financiarisht këto shërbime. Vetëm 12 për qind e grave rome janë përfshirë nga Programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës të Ministrisë së Shëndetësisë në periudhën e viteve 2018-2021.

Sa i përket kujdesit shëndetësor gjatë shtatzënisë, u vu re se 8,3 për qind e grave rome e kalojnë shtatzëninë pa asnjë kontroll të vetëm shëndetësor, derisa te 20 për qind nuk është bërë asnjë kontroll EHO.

Vetëm rreth një e treta e grave rome vizitohen nga infermiere e patronazhit pas lindjes, me ç’rast situata është më e pafavorshme në Komunën e Shuto Orizarës. Shëndetin e të posalindurve/foshnjave te një e treta e fëmijëve romë në gjashtë muajt e parë të jetës e ndjekë mjeku i përgjithshëm amë, për shkak të mungesës së pediatërve amë.

I pyetur për të dhënat për rastet e mundshme që kanë përfunduar me epilog fatal, Pavllovski informoi se në vend vdekshmëria tek foshnjat deri në vitin 2017 ishte 12 foshnje të vdekura për një mijë lindje të gjalla, që është tre deri në katër herë më shumë se mesatarja në Bashkimin Evropian, ndërsa pas masave të ndërmarra, vitet e fundit, shkalla është ulur në 5,9 vdekje për një mijë lindje të gjalla, normë që sipas tij ka ardhur vazhdimisht në rritje dhe rënie gjatë viteve.

Në raport me vdekshmërinë te lehonat, ai tha se është një problem shumë i madh sepse vitet e fundit numri zyrtar i vdekjeve është zero, e nga ana tjetër, siç tha ai, “të gjithë jemi dëshmitarë të vdekjeve të lehonave dhe grave shtatzëna”.

Hulumtimi në mjediset rurale është kryer në periudhën shtator – nëntor të vitit 2022 në komunat Krivogashtan, Dollnen, Shën Nikollë, Kumanovë dhe Pehçevë, ndërsa për mjediset rome është realizuar në periudhën shtator – nëntor të vitit 2022 në komunat e Shuto Orizarë, Kumanovë, Dellçevë dhe Vinicë.

Related posts

Zhduket një vajzë në Obiliq

e-max

Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, të shtyhet afati i maturës shtetërore

e-max

Kovaçevski: Ka ndërmarrje publike në të cilat anëtarë të bordit drejtues kanë paga më të mëdha se presidenti i shtetit

e-max