Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka fituar raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme lokale për kryetar të Komunës së Bërvenicës, duke mposhtur kandidatin e koalicionit “Maqedonia Jote”, Stojanço Radiçevski, të mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja.
Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Jahiji ka marrë 4,442 vota apo 50.36 për qind, ndërsa Radiçevski 4,177 vota apo 47.36 për qind. Diferenca mes tyre është 265 vota.
Në raundin e dytë kanë votuar 8,820 qytetarë, me pjesëmarrje prej 54.29 për qind, ndërsa janë regjistruar 201 fletëvotime të pavlefshme.
Rezultati ka nxitur reagime të shumta politike, veçanërisht pas akuzave të VMRO-DPMNE-së ndaj VLEN-it për mbështetjen e kandidatit të BDI-së.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar pas humbjes së kandidatit të tij, duke përdorur edhe shprehjen “kalë troje” në adresë të kundërshtarëve politikë.
“Të vetëm kundër të gjithëve. Ne me program zgjedhor dhe koncept, ata me mbështetjen e demografisë, kartës nacionaliste dhe ndonjë kali troje për tërheqjen e votave.
Megjithatë, rritja e votave nga raundi i parë është e qartë dhe e pastër, nga 3,000 në 4,200, ndërsa në raport me zgjedhjet parlamentare kemi rritje prej 1,300 votash, por, për fat të keq, të pamjaftueshme për fitore”, ka shkruar Mickoski.
Ndërkaq, nga VLEN-i kanë kundërshtuar pretendimet se votat e tyre janë pronë e ndonjë partie, duke theksuar se qytetarët vendosin vetë se kë do ta mbështesin.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar duke kritikuar retorikën paszgjedhore dhe duke kërkuar që rezultati të pranohet.
“Zgjedhjet mbaruan. Sot Bërvenica ka kryetar komune, ndërsa jeta vazhdon dhe të gjithë ne u kthehemi obligimeve tona.
Deklaratat nxitëse dhe folklori parazgjedhor i kam konsideruar si të tilla, por edhe ato paszgjedhore duhet të marrin fund. Votat u përkasin qytetarëve, të cilët janë të lirë të vendosin se kujt do t’ia besojnë mbështetjen e tyre”, ka shkruar Mexhiti.
Në anën tjetër, bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Bilall Kasami, e ka uruar fituesin e zgjedhjeve, Arkin Jahijin, duke i kërkuar që të punojë për të gjithë qytetarët pa dallime.
“Kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahijit, i uroj mandat të suksesshëm dhe të mbarë. Ai duhet t’u qëndrojë besnik premtimeve parazgjedhore dhe të punojë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie partiake, feje apo etnie.
Qytetari ka gjithmonë të drejtë, pavarësisht motiveve me të cilat gjykon. Kjo duhet respektuar”, ka shkruar Kasami.
Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni thonë se duhet tashmë kuptuar se ashtu sikur shqiptarët që nuk mund të marrin vendime politike kokë më vete në një komunë, ashtu edhe maqedonasit nuk mund të sillen kokë më vete në RMV. Ata gjithashtu, kritikojnë gjuhën e kryeministrit Mickoski, por edhe ‘heshtjen’ e VLEN.
Mickoski duhet të marrë mësim
Opinionisti Ramadan Ramadani, humbjen e kandidatit të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, e ka lidhur me rezultatin me raportet politike dhe ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Duke komentuar rezultatin për “Bota sot”, Ramadani ka kritikuar qasjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, duke thënë se rezultati në Bërvenicë duhet të shërbejë si mesazh për mënyrën se si duhet të funksionojë politika në një shtet multietnik.
“Pak aftësi strategjike dhe sens politik të kishte kryeministri Mickoski, nga humbja në Bërvenicë do të kishte marrë mësimin më adekuat: ashtu si shqiptarët politikisht nuk janë të pavarur dhe nuk mund të marrin vendime politike kokë më vete në një komunë ku janë mezi shumicë, vetëm diku 54 për qind, ashtu ai vetë nuk mundet, e as maqedonasit, të sillen kokë më vete në RMV, ku janë identikisht mezi shumicë, diku 54 për qind”, thotë Ramadani.
“Vota shqiptare prishë llogaritë politike të partive maqedonase”
Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi, vlerëson se fitorja e Jahijit nuk përfaqëson vetëm një rezultat lokal, por dëshmon peshën e votës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe rëndësinë e saj në përcaktimin e zhvillimeve politike.
Sipas tij, rezultati në Bërvenicë tregoi se vota e shqiptarëve mund të jetë vendimtare dhe të prishë llogaritë politike të partive maqedonase.
Ai ka kritikuar deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski pas humbjes, veçanërisht cilësimin e mobilizimit të votuesve si “kartë nacionaliste” dhe referencën ndaj VLEN-it si “kalë troje”.
“Për elitën në Shkup, vota e lirë e shqiptarëve konsiderohet ende një ‘kartë nacionaliste’ që duhet të kontrollohet, jo një shprehje e lirë demokratike”, ka deklaruar Mehazi.
Duke komentuar qasjen e Mickoskit, analisti thotë se reagimi i tij dëshmon një mentalitet politik që nuk e mirëpret votën shqiptare kur ajo nuk përputhet me interesat e partive maqedonase.
“Në vend që të mirëpresë procesin demokratik, Mickoski zgjedh të etiketojë, duke vërtetuar se fryma e Marrëveshjes së Ohrit mbetet për të vetëm një detyrim në letër, ndërsa në praktikë kërkohet kthimi i dominimit etnik, ku shqiptarët trajtohen vetëm si numra ose si një përqindje e mërzitshme”, shprehet Mehazi.
Megjithatë, kritikat e tij nuk janë drejtuar vetëm ndaj kryeministrit, por edhe ndaj koalicionit VLEN, të cilin e akuzon për mungesë reagimi të fuqishëm ndaj deklaratave të kreut të Qeverisë.
“Tragjedia e vërtetë në këtë teatër nuk është gjuha e Mickoskit, prej tij nuk pritej asnjë bujari kombëtare, por sjellja e koalicionit VLEN. Përmes heshtjes së tyre përballë fyerjeve dhe deklaratave që u vijnë nga kreu i qeverisë, ata vërtetojnë se nuk janë partnerë të barabartë në degën ekzekutive, por thjesht mbushës për rehatinë e qeverisë”, ka theksuar ai.
Mehazi paralajmëron se, nëse VLEN nuk mbron fuqishëm përfaqësimin dhe interesat e shqiptarëve, rrezikon të humbasë besimin e qytetarëve që e kanë mbështetur.
Në fund, profesori thekson se rezultati në Bërvenicë duhet të shërbejë si mesazh për respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe barazisë ndëretnike në vend.
“Barazia e vërtetë nuk duhet të kapet si lëmoshë për Mickoskin dhe VMRO-në e tij, barazi bëhet me mbrojtjen dinjitoze të çdo vote dhe çdo të drejte të fituar me sakrificë”, ka përfunduar Mehazi në prononcimin për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info
