GazetaMax
Lajme

I kemi borxh gjeneratave të reja dhe atyre që kontribuojnë për të mirën europiane

Sot mbushen 24 vite nga ikja në altarin e lirisë të dëshmorit të kombit, Visar Krasniqi. Ai ra heroikisht në fshatin Mateç të Likovë, derisa i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në luftën e vitit 2001.

U lind më 26 shkurt të vitit 1981 në fshatin Drenoc të komunës së Malishevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen drejtimin e mjekësisë në Malishevë. Babai Hamidi e nëna Shefkije kishin 11 fëmijë: Xhemilen, Ismetin, Xhevdetin, Lumturijen, Valdetin, Nexhmijen, Mendehijen, Ardianin, Linditën, Visarin dhe Valonin.

Me të kryer shkollën e mesme të mjekësisë, Visari u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm dhe dëshironte të bëhej mjek i mirë. Edhe do të bëhej po të mbetej gjallë, sepse kishte vullnet për mësim dhe kushte të mira ekonomike. Vëllezërit që ishin para Visarit, e këshillonin atë vetëm të mësonte, duke i garantuar heqjen e shpenzimeve. Megjithatë, fati i dha tjetër rrjedhë jetës së Visarit.

Me të filluar lufta edhe në Maqedoni ai me shokë filluan të interesohen se si të depërtonin në vijat e frontit. Për ta më me rëndësi ishte zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare sesa studimet.

Siç ka treguar në rëfimet e saj nëna e tij, përpara se të nisej për në Maqedoni e kishte këshilluar të birin e saj Visarin të konsultohej me vëllezërit më të mëdhenj, por ai i kishte thënë: Si të pres kur nuk pret situata në Maqedoni, si t’i lëmë vëllezërit tanë në tym e flakë. Ata janë vëllezërit tanë që na ndihmuan neve kur ishim në atë gjendje dhe duhet t’ua kthejmë borxhin.

Visarit i ngutej për luftë, thekson ajo, kështu që ai jo vetëm që i la anash studimet, por edhe dashurinë e tij. Një natë para se të nisej e kishte sjellë në shtëpi vajzën që e dashuronte dhe me të cilën planifikonte të fejohej. Asaj iu drejtua me fjalët: Ty fisnike dua të të njoftoj se po marr rrugën për në luftë dhe lufta mund të sjellë gjëra të padëshiruara: mund të mbetem gjallë, por edhe të mbetem invalid ose të vritem, ti duhet të jesh e përgatitur për të gjitha.

Këto ishin fjalë të rënda për vajzën, por ajo iu kishte kthyer: Dashtë Zoti e kthehesh gjallë e shëndosh, por unë edhe nëse kthehesh në karrocë do të mbetem me ty, e nuk do të ndahem prej teje.

Ishin këto çaste rrëqethëse emocionuese, ku flitej për jetë a vdekje, për aftësi a paaftësi për bashkim të sërishëm a ndarje të përhershme. Lajmin për Visarin nëna në fillim e mori nga djali Ismeti, i cili i kishte thënë se është plagosur rëndë.

Pas rënies së Visarit, nëna e tij i kishte kërkuar njërit nga pesë djemtë të saj që të vazhdonin deri në fund amanetin e vëllaut të tyre, në mënyrë që për asnjë moment të mos vërehej se UÇK-ja kishte një ushtarë më pak.

Katër ditë më vonë, më 6 qershor të vitit 2001, UÇK-së iu bashku djali i katërt i familjes, Ardiani i cili kishte lënë bashkëshorten dhe djalin 9 muajsh. Nuk kishte si tjetër vetëm se prezenca e tij të bënte bujë të madhe. Ndonëse nuk ishte e lehtë që vetëm 4 ditë pasi që i vëllai kishte dhënë jetën për liri, të vazhdonte aty ku e kishte lënë Visari. Ardiani i kthyer nga Zvicra mori uniformën dhe armën e vëllaut të tij nga Xhemajl Jashari dhe Hisni Shaqiri dhe ka vazhduar amanetin e vëllaut deri në përfundim të luftës.

Të gjithë e kemi obligim të ruajmë e nderojmë veprën dhe kontributin e dëshmorëve dhe familjet e tyre.

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Related posts

Kovaçevski: Zhvillohen negociata që të sigurohet rrymë me çmime të ulëta

Gazeta Max

Filloi gjykimi për rastin “Besa Trans” ku humbën jetën 45 qytetarë

Gazeta Max

Çfarë shërbime të reja hapen me ligjin e ri për shërbimet e pagesave?

Gazeta Max