GazetaMax
Lajme

Inteligjenca shqiptare në zemër të NATO-s: Vlora Hyseni pritet nga Mark Rutte

Vizita vjen në një moment me rëndësi për sigurinë rajonale dhe rolin e shtuar të Shqipërisë në strukturat euroatlantike

Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH), Vlora Hyseni, zhvilloi një vizitë zyrtare ditën e djeshme në selinë e NATO-s, ku u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, dhe zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska.

Lajmi u bë i ditur nga Aleanca Atlanike, duke zbuluar disa pamje nga takimi mes palëve pa ndarë detaje të tjera.

Vizita vjen në një moment me rëndësi për sigurinë rajonale dhe rolin e shtuar të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Nga selia e NATO-s në Bruksel, kryeministri Edi Rama bëri gjatë javës një deklaratë me peshë strategjike, duke shpallur ambicien e Qeverisë shqiptare për të hyrë në SAFE – programin e sigurisë dhe mbrojtjes së Bashkimit Evropian.

Kjo e fundit, për herë të parë hap mundësi financimi për vendet jashtë BE-së, përfshirë aleatët e NATO-s.

“Jemi këtu gjithashtu që të diskutojmë së bashku se si mund të kemi qasje në programin SAFE të Bashkimit Evropian, i cili përtej perimetrit të vendeve të BE-së, mund të jetë përfitues edhe për vendet e NATO-s në Evropë”, tha Rama në fjalën e tij para takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Midis datave 15-17 maj, Vlora Hyseni zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington DC, ku u takua me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve (ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik.

Në takimin me Tulsi Gabbard, Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve tona, shkruante SHISH në njoftim.

Reagimi zyrtar vëren se u shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH-in si “partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon”.

Në takimin me John Ratcliffe, Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-ve, u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH-in në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta.

Sipas SHISH-it, po ashtu u shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës.

Related posts

Si përdoret interneti në Europë dhe Ballkan

Gazeta Max

Prezantime në disa gjuhë të kryediplomatit Osmani

Gazeta Max

Agron Dedivanaj për zgjedhjet në Kosovë: Le të respektohet vullneti i popullit, të punojmë së bashku për të realizuar kauzat tona kombëtare

Gazeta Max