GazetaMax
Lajme

Investimet në shkencë kanë marrë tatëpjetën, çdo vit ka rënie!

Shkup, 22 nëntor – Në vendin tonë kur flitet për shkencë mendohet si diçka e paarritshme, e sikurse tangon vetëm një kategori të caktuar njerëzish, përpos kësaj mendohet për diçka që pak luan rol në zhvillimin e shtetit. Këto mbase nuk janë koti por janë rezultat i veprime të Qeverisë e posaçërisht të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, institucion i cili ka marrë tatëpjetën e investimeve në shkencë, ku çdo vit e më pak ndahet buxhet për shkencë. Ashtu sikur viteve të kaluara edhe këtë vit nga buxheti i paraparë, për shkencë nuk do të kalojnë as një përqindëshin nga buxheti i përgjithshëm. Dhe, kjo flet për realitetin se sa të rëndësishme e shohin shkencën këta “menaxhues” të buxhetit, që vit e më keq. Pasojat e mos investimeve të duhura në shkencë do të jenë afatgjate, që do të prodhojnë një të ardhme katastrofale që kur të flitet për shkenca për vendin tonë të jetë diçka utopike, shkruan Zhurnal.

Si është gjendja e investimeve në shkencë në RMV?

Investimet në shkencë janë në rënie të vazhdueshme për 10 vjet me radhë. Në propozim-buxhetin për vitin 2023, i cili është në fazën e miratimit, për shkencën janë planifikuar rreth 4.375.000 euro apo 268.236.000 denarë. Ky buxhet i paraparë për shkencë gjatë vitit 2023 është më i ulëti në 10 vitet e fundit. Ndërkohë në vitin 2014 për shkencën ishin ndarë 0.44 për qind e buxhetit të përgjithshëm, derisa këtë vit është lënë mënjanë vetëm 0.15 për qind, derisa për vitin e ardhshëm është planifikuar vetëm 0.08 për qind e buxhetit të përgjithshëm të shkojnë për shkencë. Për vitin e ardhshëm janë planifikuar 66 për qind më pak para për shkencën në krahasim me vitin 2014.

Shifra alarmante e shumë shqetësuese për sa i përket këtij ndryshimi drastik për një kohë prej 8 vitesh investimet në shkencë kanë pësuar rënie prej 66%, kjo është edhe përgjigja e pyetjes se ku janë shkencëtaret në vendin tonë, çfarë bëjnë dhe sa përkrahen nga shteti.

Maqedonia e Veriut, qëndron tepër keq në krahasim me vendet e rajonit për investimet në shkencë. Shifrat e treguar për investime në shkencë dhe kërkime shkencore, duke pasur parasysh Bruto Prodhimin Vendor (BPV), tregon se Maqedonia e Veriut, është shumë larg mesatares së BE-së. RMV mbetet gjithashtu edhe pas vendeve të rajonit si Sllovenia, Greqia, Kroacia, Serbia dhe Bullgaria. Derisa dy vende më keq në rajon qëndrojnë Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Cilësia në arsim bashkë me investimet në shkencë pëson rënie?

Cilësia e arsimit në vendin tonë është e ulët pasi që vazhdimisht nxënësit marrin rezultate të dobëta në teste ndërkombëtare si ato të PISA-s ku nxënësit renditen në fund të tabelës. Ky dështim nuk vjen rastësisht është si pasojë e autoriteteve shtetërore si dhe politikës. Nga pluralizmi politik janë bërë ndërrime të shpeshta të ministrave, ndryshime ligjore, reforma të cilat kanë dështuar dhe ka munguar motivimi i mësimdhënëseve.

Sipas të dhënave të fundit që janë publikuar nga EUROSTAT, thuhet se në Maqedoninë e Veriut investimet në hulumtime dhe shkencë arrijnë vetëm 0.1 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Derisa mesatarja e investimeve në shkencë në vendet e Bashkimit Evropian është rreth dy për qind.

Në fillim të vitit në opinion bëri mjaftë bujë publikimi i listës botërore të renditjes sipas renditjes Webometrics të Universiteteve Botërore (Webometrics). Sipas kësaj liste universitetet në vendin tonë jo vetëm që ishin shumë dobët në rangimin botëror, por edhe kishin humbur pikë krahasuar me një vit më parë.

Çuditërisht kur flasim për arsimin dhe shkencën, kujtojmë që në vendin tonë me këtë institucion kanë udhëhequr pothuajse gjatë gjithë kohës vetëm shqiptarët, e fakt tjetër interesant është edhe kohëzgjatja e ministrave në këtë institucion që pothuajse çdo një vit e gjysmë janë ndërruar ministrat përgjatë dhjetë viteve të fundit.

Dhe, kur ka këso ndryshime e mungesë stabiliteti prodhohen situata të tilla që shumë strategji dështojnë në përgatitje e disa në aplikim, mungojnë investimet e duhura në arsim e shkencë. Kjo katrahurë në institucionin më me rëndësi të vendit prodhon pastaj analfabet funksional, dhe shkencëtarë “inekzistent”.

Mbase, në vendin është shumë e vështirë të trajtosh tema shkencore dhe të gjesh njerëzit e duhur e kompetent të flasin për këto çështje, jo se mungojnë shkencëtarët por ata që ekzistojnë janë të heshtur e lirisht t’i quajmë në një “letargji” shkencore që krijojnë një “komfortë” zonë nga e cila nuk dalin asesi edhe po të shuhen të gjithë investimet në shkencë, kjo ngase nuk brengosen e nuk varen në mënyrë direkte.

Në aspektin e investimeve në shkencë, hyjnë edhe investimet materiale që duhet të bëhen nëpër Universitete sidomos ato shtetërore në ndërtim të laboratorëve që janë të domosdoshëm për zhvillimin e duhur shkencor, sidomos të shkencave mjekësore. Por, këto kërkesa nuk parashtrohen asnjëherë në institucionin kompetent MASH sepse ruhen marrëdhëniet miqësore të ministrave me stafet e Universiteteve.

Pastaj, publikimet shkencore, hulumtimet e ndryshme është e pamundur të realizohen pa përkrahje financiare nga MASH, e kjo përkrahje nuk mund të bëhet në mënyrë objektive sepse këtë nuk e mundëson buxheti i ndarë që është i pamjaftueshëm, prandaj edhe përzgjidhen shkencëtarët që mund të jenë fitues potencial të përkrahjes që i ofrohet. /Zhurnal.mk

Related posts

Pendarovski, Kovaçevski e Xhaferi urojnë festën “Shën Klimenti i Ohrit”

Gazetamax.mk

Nga nesër në Shkup fillon spërkatja kundër mushkonjave nga toka dhe me avion

Gazetamax.mk

Çmimet e larta, s’ka interesim për ajvar e turshi

Gazetamax.mk