GazetaMax
Lajme

Izet Mexhiti: Transformimi i rrugës së Çairçanes në bulevard – prioritet absolut që nga dita e parë e mandatit të ri

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ka prezantuar sot një nga projektet më strategjike për të ardhmen urbane të komunës: shndërrimin e rrugës së Çairçanes në bulevard modern, që do të jetë arterie kryesore e komunikacionit për qytetin e Shkupit.

Gjatë një vizite në terren, së bashku me kryetarin e BNJVL-së dhe kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, Mexhiti theksoi se zgjerimi dhe modernizimi i bulevardit “Cvetan Dimov” do të jetë projekti i parë që do të nisë zbatimin në mandatin e ardhshëm, duke garantuar bashkëpunim të plotë ndërinstitucional mes komunës së Çairit dhe qytetit të Shkupit.

“Rruga e Çairçanes është shndërruar në simbol të ngërçit urban dhe trafikut të dendur. Tani është koha që ajo të marrë formën që meriton – një bulevard me standarde evropiane. Do të ndërtojmë një hapësirë funksionale, të sigurt dhe moderne për të gjithë qytetarët,” – tha Mexhiti.

Projekti përfshin:

Zgjerim në bulevard me gjashtë korsi

Trotuare të gjera për këmbësorë

Shtigje të dedikuara për biçikleta

Ndriçim modern dhe efikas energjetik

Hapësira të gjelbra dhe estetikë bashkëkohore

Sipas planifikimeve aktuale, bulevardi “Cvetan Dimov” do të lidhë më drejtpërdrejt Çairin me Qendrën, Butelin dhe Shuto Orizarin, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin dhe duke përmirësuar cilësinë e jetesës në një nga zonat më të dendura urbane të Shkupit.

“Ky projekt është vetëm një pjesë e vizionit tonë më të gjerë për rilindjen urbane të Çairit. Bashkë me arkitektë vendas dhe ndërkombëtarë, kemi filluar hartimin e një masterplani të ri për komunën, ku bulevardi ‘Cvetan Dimov’ është shtylla kryesore për zhvillim të qëndrueshëm dhe modernizim,” – shtoi Mexhiti.

Rezultate konkrete në vetëm 10 muaj: 65 milionë euro për Çairin

Mexhiti rikujtoi se gjatë 10 muajve të fundit, falë rolit të tij në Qeveri dhe angazhimit të palëkundur për Çairin, janë siguruar fonde të konsiderueshme për projektet infrastrukturore dhe komunale, përfshirë:

Parkimin nëntokësor te sheshi “Skënderbeu”

Ndërtimin e kampusit universitar “Nëna Terezë”

Rikonstruksion të infrastrukturës rrugore dhe ujësjellësit

Rritje të investimeve në arsim dhe hapësira të gjelbra

“Çairi është shtëpia jonë. Çdo projekt që nisim, çdo vizion që ndërtojmë, është i lidhur ngushtë me nevojat reale të qytetarëve. Me besimin e tyre dhe me një ekip profesionistësh, do ta kthejmë Çairin në një model të zhvillimit urban në nivel kombëtar dhe rajonal,” – përfundoi kandidati i koalicionit VLEN.

Related posts

Më 17 Maj ministrja Trençevska takon Nedelkovin nga SASHK

Gazeta Max

Ali Ahmeti nga Shipkovica: Rruga drejt BE është e pandalshme

Gazeta Max

Tuntev: Fluturimi me aeroplan po bëhet gjithnjë e më i sigurt

Gazeta Max