Izet Mexhiti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë më 25 tetor

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 tetorit dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit politik dhe institucional për avancimin e të drejtave kombëtare.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Mexhiti vlerësoi se sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Luginës kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje institucionale.

“Zgjedhjet e 25 tetorit përbëjnë një moment të rëndësishëm për përfaqësimin politik dhe institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi se çështjet që kërkojnë zgjidhje përfshijnë respektimin e të drejtave kombëtare, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, arsimin, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë.

Mexhiti e vlerësoi bashkimin e subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët si një zhvillim të rëndësishëm për jetën politike në Luginë, duke nënvizuar se interesat e përbashkëta kërkojnë koordinim dhe përgjegjësi politike.

Duke iu referuar përvojës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ai tha se avancimi i të drejtave kombëtare kërkon angazhim të vazhdueshëm politik dhe institucione që garantojnë barazi për të gjithë qytetarët.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë respektimin e plotë të identitetit të tyre kombëtar, arsimim në gjuhën amtare, mundësi të barabarta ekonomike dhe përfaqësim të denjë në çdo nivel institucional”, u shpreh Mexhiti.

Një mesazh të veçantë ai ua drejtoi edhe shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, në diasporë dhe në vende të tjera, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në procesin zgjedhor.

“Pjesëmarrja dhe vota e secilit qytetar me të drejtë vote kanë rëndësi, sepse largësia nga vendlindja nuk e zbeh lidhjen me të dhe përgjegjësinë për të ardhmen e saj”, deklaroi ai.

Në përfundim, Mexhiti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 tetorit, duke theksuar se respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është pjesë e parimeve të barazisë, dinjitetit njerëzor dhe demokracisë.

Burimi: alfax.mk