GazetaMax
Lajme

Izraeli thotë se s’do ta lejojë hyrjen e ndihmave në Gaza derisa ato të mos kontrollohen nga Hamasi

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të mërkurën se vendi i tij nuk synon që ta lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës derisa të themelohet një mekanizëm “civil” që do t’ia merrte Hamasit kontrollin e furnizimeve.

Katzi u detyrua që ta sqaronte pozicionin e tij, pasi një deklaratë fillestare e tij rreth kësaj çështjeje nxiti zemërim në koalicionin qeveritar për shkak të pohimit se Izraeli do ta rifillonte lejimin e hyrjes së ndihmave në enklavën palestineze përmes kompanive private, pa shpjeguar se nuk kishte plan të menjëhershëm për një gjë të tillë, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në deklaratën e tij të parë në mëngjes, Katzi tha se Izraeli përfundimisht do t’i riniste ndihmat humanitare, por vetëm përmes kompanive private në mënyrë që të parandalohej rënia e ushqimit dhe pajisjeve në duart e Hamasit.

Ai tha se politikat e Izraelit në Gaza i përfshin “ndërprerjen e ndihmave humanitare, gjë që e minon kontrollin e Hamasit mbi popullsinë, dhe krijimin e një infrastrukture për shpërndarjen (e ndihmave) përmes kompanive civile më vonë”.

Sidoqoftë, vetëm sinjalizimi i një synimi të përgjithshëm për ta lejuar hyrjen e ndihmave u prit me kundërpërgjigje të ashpra nga anëtarët e koalicionit qeveritar izraelit.

Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e kritikoi kolegun e kabinetit, duke u zotuar se do të bënte gjithçka që është në kompetencat e tij për ta ndalur “gabimin historik” të lejimit të hyrjes së ndihmave në Gaza.

“Është turp që nuk marrim mësim nga gabimet tona. Për aq gjatë sa pengjet tona janë duke vdekur në tunele, nuk ka arsye që as një gram ushqim apo ndihma të hyjnë në Gaza” – shkroi ai në rrjetin X.

Në një deklaratë sqaruese, Katzi tha: “Politika e Izraelit është e qartë dhe asnjë ndihmë humanitare nuk do të hyjë në Gaza. Në realitetin e tanishëm, askush nuk do të fusë ndonjë ndihmë humanitare në Gaza dhe askush nuk është duke u përgatitur për të sjellë ndonjë ndihmë të tillë.”

Ministri më pas sqaroi se ishte duke iu referuar të ardhmes më të largët, kur po e diskutonte mundësinë e shpërndarjes së ndihmave përmes kompanive private./Nacionale

Related posts

Hulumtim në Maqedoni dhe BE: Nuk ka fare përmirësim në integrimin e romëve

Gazeta Max

Nëse keni ara dhe nuk i punoni, do të paguani më shumë tatim dhe shteti do t’i japë me qira

Gazeta Max

Ursula von der Leyen: Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë Evropën në zemër

Gazeta Max