Këngëtarja britanike Jessie J ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer të gjirit dhe se është në fazën e hershme. Ajo ka njoftuar se do të kryejë një operacion pas performancës së saj në koncertin Capital Summertime Ball, më 15 qershor në stadiumin “Wembley” në Londër, ka raportuar BBC.
37-vjeçarja e ndau lajmin në rrjetet sociale, duke treguar se e kishte marrë këtë diagnozë pak para se të publikonte këngën e saj të re “No Secrets”, më 25 prill“.
Kam qenë duke bërë analiza vazhdimisht gjatë gjithë kësaj periudhe. Para se të dilte ‘No Secrets’, u diagnostikova me kancer të gjirit në fazën e hershme. Jam duke theksuar fjalën ‘hershme’. Kanceri është i tmerrshëm në çdo formë, por unë po mbështetem te fjala ‘hershme’”, ka thënë ajo në një video në Instagram.
Jessie J ka pranuar se ka menduar gjatë nëse duhet ta ndajë këtë informacion me publikun, për shkak të shumë opinioneve që qarkullojnë. Por ajo ka shtuar se e ndjeu të nevojshme të ishte e hapur, sidomos për shkak të titullit të këngës së saj të fundit, “No Secrets”, e cila është frymëzuar nga humbja e shtatzënisë që përjetoi në vitin 2021.
“Të marrësh këtë diagnozë, në të njëjtën kohë që po publikoj një këngë të titulluar ‘No Secrets’, dhe më pas një tjetër të titulluar ‘Living My Best Life’, të gjitha të planifikuara para se ta merrja lajmin, është e pabesueshme. Thjesht doja të isha e hapur. Së pari, sepse nuk po flas mjaftueshëm për këtë. Nuk po e përpunoj dot sepse jam duke punuar shumë. Dhe, e di sa shumë më ka ndihmuar ndarja e përvojave në të kaluarën, dashuria, mbështetja dhe historitë që më kanë treguar të tjerët”, ka thënë ajo.
Jessie, e njohur për hite si “Price Tag” dhe “Who You Are”, ka konfirmuar se do të performojë në koncertin Summertime Ball, por më pas do të tërhiqet për pak kohë për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
“Do të zhdukem për pak pas koncertit për të bërë operacionin. Do të rikthehem me… gjokse të mëdha dhe muzikë të re!”, ka thënë ajo me humor.
Në një postim në Instagram, Jessie ka shkruar se tash nuk ka më sekrete.
“A është shumë herët për të bërë një remix me titull ‘Living my breast life’?!. Shakatë janë një nga mënyrat e mia për ta përballuar dhimbjen. Këta dy muaj të fundit kanë qenë të mrekullueshëm, por përballë këtij realiteti në prapaskenë, kam fituar një perspektivë të re për jetën. POR… vajzës tuaj i duhet një përqafim. Dhe jo, nuk po bëj gjokse të mëdha. Ose ndoshta po? Jo jo… duhet të ndaloj me shakatë”, ka shkruar tutje Jessie.
Këngëtarja ka një djalë dyvjeçar, Sky, me partnerin e saj, basketbollistin Chanan Colman.