Shkup, 6 Nëntor – Propozimi francez, integrimi evropian i Maqedonisë, si dhe marrëdhëniet dypalëshe në rrugën Shkup-Sofje janë në fokus të intervistës së sotme në televizionin ALSAT. Në minutat në vijim për këto tema do të flas me nënkryetare e Republikës së Bullgarisë, Iliana Jotova.
Gazetari: Ju këtu merrni pjesë, ndër të tjerat në agjendën, në hapjen e ekspozitës në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Bullgarisë në Manastir. Supozoj se pajtohemi kultura është ajo që ndërton ura, por çfarë po bëjmë ne në planin politik? Gjatë vizitës suaj nuk keni takim me ndonjë politikan maqedonas. Nuk ka tema për të folur ose nuk ka iniciativë nga të dyja palët?
Jotova: Do të më lejoni të filloj me disa fjalë rreth historisë së kësaj vizite. Dje ishim me rastin e Përshpirtjes- është dita kur nderojmë të vdekurit, kemi lutje në përkujtimin e tyre, por edhe në përkujtimin e të gjithë ushtarëve bullgarë të rënë, në të gjitha betejat e historisë së gjatë bullgare… Prej disa vitesh Bullgaria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut i bëjnë homazhe varrezave ushtarake në fshatin Capari. Aty mbetën përgjithmonë 214 djelmosha bullgarë, për të luftuar për lirinë e vëllezërve dhe atdheut të tyre. Ky është rasti konkret për të cilin e vizitoj Republikën e Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht, ju e keni vënë re saktë, ne hapëm ekspozitë për 125 vitet e ekzistencës së shërbimit konsullor të Bullgarisë në Manastir. Kjo është konsullata jonë më e vjetër, është histori dhe kjo histori duhet të njihet brez pas brezi, sepse Manastiri ishte qendër e madhe kulturore gjatë rilindjes bullgare, por edhe kur po ndërtohej shteti i ri bullgar. Ne nuk kemi planifikuar të takohemi me politikanë maqedonas në programin tonë. Sa për t’ju kujtuar shikuesve se para disa ditësh këtu ishte për vizitë kryeministri i Bullgarisë, z. Gallab Donev dhe së bashku me kolegët e tij maqedonas i filluan aktivitetet për një projekt shumë të rëndësishëm për shtetet tona dhe për gjithë këtë pjesë të Evropës. Bëhet fjalë për aktivitetet e para për hekurudhën nga Korridori 8. Është projekt i rëndësishëm, të cilin qytetarët tanë e presin.
Gazetari: E përmendëm kulturën, por hapja e klubeve kulturore është aktuale edhe në Maqedoni edhe në Bullgari. Shkupi zyrtar i konsideron si provokim emrat e klubeve kulturore në Ohër dhe Manastir, ndërsa Sofja zyrtare si të tillë e konsideron klubin në Bllagoevgrad. Kush provokon dhe me këto klube vetëm se nxitet më tej gjuha e urrejtjes?
Jotova: E dini, unë preferoj të komentoj për këtë çështje vetëm kur bëhet fjalë për nivelin e institucioneve të të dy vendeve, pra të institucioneve bullgare dhe institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dua të përgëzoj kolegët e mi nga Republika e Maqedonisë së Veriut për dënimin e djegies së klubit kulturor në Manastir dhe sulmeve ndaj të gjitha klubeve tjera kulturore. Shpresoj që së shpejti fajtorët do të dënohen. Sa i përket klubit në Blagoevgrad, autoritetet tuaja thanë se ishte iniciativë private dhe kjo na mjaftoi. Thjesht të mos nxitet urrejtje dhe konfrontime të reja mes dy popujve dhe të respektohen të gjitha ligjet dhe rregullat. Fakti që disa njerëz kanë vendosur të hapin klubin e tyre, le të zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe nëse ky klub i shërben marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, kjo vetëm mund të na bëjë të lumtur. Por fatkeqësisht rastet e vandalizimit të monumenteve janë bërë më të shpeshta këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Është shumë e rëndësishme që ne, pas propozimit francez që e përmendët dhe Protokollit të nënshkruar, të bëjmë të qartë se Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë mes dy vendeve nuk është më vetëm një marrëveshje mes dy vendeve. Është pjesë e legjislacionit evropian dhe nëse ajo zbatohet apo, mos dhëntë Zoti, shkelet, vëzhgojmë jo vetëm ne nga Bullgaria, por edhe kolegët tanë nga Komisioni Evropian, nga institucionet evropiane. Pra, procesi i anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në masë të madhe varet nga përmbushja e Protokollit dhe Marrëveshjes.
Gazetari: Ju e përmendët Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë dhe prej saj buron Komisioni i Përzier Historik. Jemi dëshmitarë se nuk ka përparim të madh në rezultatet e historianëve. A mund të jetë kjo një pengesë apo ndonjë arsye tjetër për ndonjë bllokim eventual, nuk e di nëse duhet ta quaj bllokim, por të paktën pengesë në procesin e negociatave në Shkup?
Jotova: Do t’ju rikujtoj vetëm vendimin e institucioneve evropiane – fillimi i vërtetë i procesit të negociatave do të jepet kur komuniteti bullgar, bullgarët, të regjistrohen si komb shtetformues në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Derisa të plotësohet ky kusht, në praktikë nuk mund të ketë asnjë hap përpara. Për këtë arsye presim që kolegët tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ta përshpejtojnë këtë proces dhe, natyrisht, në të njëjtën kohë edhe punën e Komisionit Historik. Në fakt, mendimi im është se tashmë ka kontakte të mira mes dy palëve në këtë Komision dhe shpresojmë që një ditë të kapërcehen të gjitha keqkuptimet në lidhje me historinë. Ne këtu në Ballkan kemi një të ardhme të përbashkët dhe kjo është e ardhmja jonë evropiane dhe gjithçka tjetër mund dhe duhet të zgjidhet.
Gazetari: Për të hapur klasterin e parë të negociatave do të nevojiten ndryshime kushtetuese. Duke marrë parasysh situatën aktuale politike në Maqedoni, a mendoni se ka perspektivë për një gjë të tillë? Cili është mesazhi juaj për opozitën? Nga atje thonë se në rrethana të tilla nuk do ta mbështesnin përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Jotova: Këto janë çështje të brendshme politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shtet sovran dhe institucione sovrane që duhet t’i zgjidhin vetë këto probleme të brendshme. Nuk mund t’i jap udhëzime as opozitës, as qeverisë. Si shtet anëtar i Bashkimit Evropian për pesëmbëdhjetë vjet, ne kemi kaluar një rrugë shumë të vështirë në procesin tonë negociator dhe jemi të gatshëm t’u ndihmojmë kolegëve tanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në çdo moment kur kanë vështirësi. Kur plotësohen kushtet e vendosura nga Evropa, për ne është hap serioz në rrugën e anëtarësimit, por diçka duhet të jetë shumë e qartë – aty ku fillojnë të shkelen të drejtat e njeriut, atje përfundon Evropa.
Gazetari: Gjatë kryesimit bullgar të BE-së u riafirmua mbështetja për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë në linjën Shkup-Sofje ndodhën shumë ngjarje, kështu që erdhi propozimi francez, të cilit i parapriu vetoja. Pastaj Sofja i ofroi mbështetje administratës në Shkup për ndihmë në shqyrtimin dhe negociatat me Brukselin. A ofron Sofja tani mbështetje të tillë?
Jotova: Dhjetë vitet e biografisë sime kanë të bëjnë me pozicionin tim si deputete e Parlamentit Evropian dhe me shumë përgjegjësi mund të them në televizionin ALSAT, për të gjithë teleshikuesit tanë, se për shumë vite Bashkimi Evropian e kishte harruar Ballkanin Perëndimor. Kjo temë për shumë vite nuk ishte e pranishme në fjalimet e kryetarëve të Komisionit Evropian dhe as nuk u diskutua këtu në Parlamentin Evropian, përveç raporteve të rregullta të progresit, por ju e dini se ato ndonjëherë janë mjaft formale. Për herë të parë, që nga samiti i Selanikut në vitin 2003, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2018, kur Bullgaria kryesonte Bashkimin Evropian, vendosëm si temë kryesore të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. E them sërish, bindja jonë e thellë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë duhet të jenë në familjen evropiane. E dini sa probleme mes nesh do të zhduken? Nuk do të ketë kufij, do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve që do të mund të zgjedhin se ku do të punojnë sipas profesionit të tyre, lidhjet do të jenë edhe më të ngushta dhe pastaj nga brenda, sidomos brezat e ardhshëm, do ta dinë se ku të jetojnë në paqe dhe mirëkuptim është mirë për të gjithë. Pra, Bullgaria e ngriti dhe e ktheu temën e Ballkanit Perëndimor në politikën evropiane, kjo është dëshira jonë. Në të njëjtën kohë, ne kemi kusht dhe kushti është që nëse po shkoni drejt Bashkimit Evropian, duhet t’i plotësoni të gjitha kriteret. Ashtu siç çdo shtet i përmbushi ato, edhe Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i përmbushë ato. I uroj kolegëve të mi politikanë, nga të gjitha partitë politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga të gjitha institucionet – shumë punë dhe shumë guxim që t’i plotësojnë këto kushte, sepse i kemi kaluar dhe nuk është e lehtë, por së bashku mundemi t’i kapërcejmë këto vështirësi dhe një ditë vendi juaj do të jetë, pse jo, shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian.