Kënga shqipe si nxitëse e dhunës ndaj femrave: Kur urrejtja dhe dhuna bëhen tekst i këngës

Në shumë këngë shqipe, problemi nuk është vetëm banalizimi i gruas, por edhe normalizimi i gjuhës së dhunës. Fjalë si “lavire”, “drogë”, “raki”, “kurvë”, “bitch”, “ta shkurtoj gjuhën”, “kam me t’rreh”, “ta kallxoj vendin”, apo kërcënime të ngjashme, janë përdorur në tekste që dëgjohen çdo ditë nga qindra mijëra të rinj. Këto nuk janë më raste të izoluara, por pjesë e një modeli kulturor që e paraqet dhunën si forcë, xhelozinë si dashuri dhe kontrollin si burrëri.

Në disa këngë rap, gruaja fyhet sapo refuzon një mashkull. Në të tjera, paraqitet si objekt që blihet me para, vetura apo dhurata luksoze. Ndërsa në disa këngë popullore e dasmore hasen vargje ku gruaja kërcënohet, poshtërohet ose urdhërohet të nënshtrohet ndaj burrit dhe familjes së tij. Këto mesazhe janë përsëritur për vite me radhë dhe janë bërë pjesë e normalitetit kulturor. Nuk është çështje censure. Askush nuk kërkon t’i ndalojë artistët të krijojnë. Por është e domosdoshme të pyesim: çfarë po u mësojmë brezave të rinj kur këndojmë e festojmë tekste që lavdërojnë fyerjen, kërcënimin dhe dhunën?

Arti ka liri, por edhe ndikim. Kur një këngë arrin miliona dëgjime, ajo nuk shpërndan vetëm ritëm; ajo shpërndan edhe gjuhë, modele sjelljeje dhe mënyra të të menduarit. Prandaj, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi artistët, por edhe mbi mediat, platformat dhe publikun që i kthen këto mesazhe në hite. Një shoqëri që këndon pa u shqetësuar për dhunën në vargje, nuk duhet të habitet kur e gjen atë edhe jashtë skenës.